TË DREJTAT DHE DETYRAT E STUDENTËVE
Studentët kanë të drejtë:
a) të ndjekin të gjitha veprimtaritë mësimore që zhvillohen në kuadrin e programit të studimit ku ata janë regjistruar;
b) të përdorin infrastrukturën, që institucioni i arsimit të lartë vë në dispozicion të procesit mësimor, si dhe të përfitojnë nga shërbimet mbështetëse që ofrohen nga ai institucion;
c) të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes së institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe statutin e institucionit;
ç) të shprehin vlerësimin e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit në institucionin e arsimit të lartë;
d) të nënshkruajnë kontratë shërbimi, në momentin e regjistrimit në institucionet jopublike të arsimit të lartë. Elementet e kontratës dhe forma e saj përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin;
dh) të sigurohen nga institucioni i arsimit të lartë, në një ndër shoqëritë e sigurimit, për të gjithë kohëzgjatjen e parashikuar të studimeve, për riskun e ndërprerjes së veprimtarisë apo risqe të tjera, sipas përcaktimeve në udhëzimin e ministrit përgjegjës për arsimin dhe Ministrit të Financave.
Studentët kanë për detyrë:
a) të zbatojnë rregullat e përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë;
b) të respektojnë të drejtat e personelit dhe të studentëve të tjerë;
c) të paguajnë tarifat e përcaktuara në këtë ligj dhe nga institucionet e arsimit të lartë, si dhe tarifat e shërbimeve që u ofrojnë institucionet e arsimit të lartë;
ç) të respektojnë Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë.
- Studentit përsëritës i ndërpritet mbështetja nga fondet publike, me përjashtim të rasteve të forcave madhore.
- Në statutin e institucionit mund të përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera të studentëve
Karta e studentit:
- Studentët e institucioneve publike e private të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.
- Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit.
- Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse që mbulon institucionin e arsimit të lartë ose njësive të qeverisjes vendore që mbulojnë shërbimet e ofruara ndaj studentëve.
- Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.
Programet e studimit me karakter profesional:
- Institucionet e arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi me karakter profesional, pas arsimit të mesëm, me 60 ose 120 kredite formimi, referuar nivelit 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Kohëzgjatja e tyre normale është një ose dy vite akademike dhe në përfundim lëshohet respektivisht “Certifikatë profesionale” ose “Diplomë profesionale” në fushën e arsimimit të kryer.
- Kreditet e grumbulluara gjatë studimeve profesionale të larta mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, që referohet në nivelin 6 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, sipas kritereve të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.
Programet e ciklit të parë të studimeve:
- Programet e ciklit të parë të studimit, referuar nivelit 6 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, organizohen me jo më pak se 180 krediteeuropiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike.
- Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome.
- Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Pranimi në ciklin e parë të studimeve:
- Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.
- Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar.
Programet e ciklit të dytë të studimeve:
- Cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i shkencave”, “Master i arteve” dhe “Master profesional”, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
- Të gjitha kriteret dhe modalitetet e fitimit të diplomave “Master i arteve” janë të njëjta me ato për fitimin e diplomës “Master i shkencave”, me ndryshimin që diploma “Master i arteve” lëshohet nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë formime në fushën e arteve.
- Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në:
a) programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike;
b) programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e drejtësisë, mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës. Këshilli i Ministrave përcakton fusha të tjera, në të cilat mund të ofrohen programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë.
- Programet e studimit “Master i arteve” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, në fushën e arteve. Këto programe realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike.
- Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
- Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve:
- Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të institucionit të arsimit të lartë ku ata aplikojnë.
- Pranimi në programet e integruara të studimeve është i mundur për kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 1, të nenit 74, të këtij ligji.
- Kriteret e pranimit të kandidatëve në programet e ciklit të dytë të studimeve përcaktohen nga njësia bazë ofruese e programit. Bëjnë përjashtim nga ky rregull programet e integruara të studimit. Kriteret bëhen publike nga njësia kryesore dhe QSHA-ja dhe miratohen sipas përcaktimeve në statutin e IAL-së.
- Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Niveli i njohjes së gjuhës së huaj përcaktohet me akt nënligjor të ministrisë përgjegjëse të arsimit të lartë.
- Institucionet e arsimit të lartë mund të njohin kredite të përfituara në programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional”, me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i shkencave”.
- Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në QSHA listën e studentëve të regjistruar.