Këshillat e studentëve – UNIVERSITETI I TIRANËS

Këshillat e studentëve

 
Njoftohen të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës se me Vendimin e Rektorit nr.196, datë 11.11.2021 , për shpalljen e periudhës zgjedhore dhe datës së zgjedhjeve, për anëtar të Këshillave Studentorë të Fakulteteve të Universitetit të Tiranës(kliko këtu)
 
Rregullore për zgjedhjet e para të këshillave të studentëve në Universitetin e Tiranës (Kliko këtu)
 
Këshillat e studentëve
  1. Këshillat e studentëve janë organizime të pavarura të studentëve të UT-së, të cilët përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e studentëve të UT-së në të gjitha programet e studimit.
  2. Këshillat e studentëve nuk zhvillojnë veprimtari politike, ekonomike apo të tjera jo në përputhje me normat e Statutit dhe të etikës.
  3. Ata kanë të drejtë të organizohen në nivel UT-je ose në nivel të njësive kryesore.
 Veprimtaria e Këshillave të studentëve
  1. Këshillat e Studentëve e mbështesin veprimtarinë e tyre në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në këtë statut si dhe në aktet për organizimin dhe funksionimin e vet këshillave.
  2. Këshilli i Studentëve të UT-së hartondhe miraton statutin për funksionimin e tij. Këshillat e studentëve të njësive bazë hartojnë dhe miratojnë rregulloret për funksionimin e tyre në përputhje me statutin e Këshillit të studentëve të UT-së.
Funksionet e Këshillave të studentëve Këshillat e studentëve të UT-së kanë të drejtë:
  1. Të promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe të koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet e UT-së dhe njësive kryesore.
  2. Të shprehin mendime dhe propozime për programet e studimit të UT-së, rregulloret për veprimtaritë mësimore, si dhe të drejtën për të studiuar.
  3. Të japin opinionet e tyre për cilësinë e shërbimeve të ofruara nga njësitë kryesore dhe/ ose njësitë bazë.
  4. Të marrin pjesë në përcaktimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët dhe të bëjnë propozime në lidhje me to dhe me bilancet vjetore paraprake të shpenzimeve ose me ndarjen e burimeve financiare.
  5. Të organizojnë së bashku me njësitë kryesore ose vetëm veprimtari të ndryshme shkencore, shoqërore, kulturore, artistike, sportive etj.
Zgjedhja e Këshillave të studentëve

Këshillat e studentëve kanë mandat 2-vjeçar dhe anëtarët e tyre zgjidhen nga votat e të gjithë studentëve të UT-së ose njësisë kryesore. Rregullat në lidhje me procesin e votimit përcaktohen në rregulloren përkatëse.

Ngritja e Këshillave të studentëve
  1. Në momentin e nisjes së procesit të ngritjes së strukturave për këshillat e studentëve, duhet të vihen në dijeni autoritetet drejtuese, përkatësisht Rektori dhe Administratori i UT-së, nëse janë në nivel UT-je ose dekani dhe administratori i njësisë kryesore, nëse janë në nivel njësie kryesore.
  2. Pas zhvillimit të zgjedhjeve dhe nxjerrjes së rezultatit, si dhe krijimit të Këshillave të Studentëve, duhet të vihen në dijeni autoritetet drejtuese si më sipër.