Në ambientet e Universitetit të Tiranës u zhvillua ceremonia solemne e dhënies së diplomave për fitimin e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”, një ngjarje me rëndësi të veçantë për jetën akademike të institucionit.
Kjo ceremoni shënon kurorëzimin e një arritjeje jo vetëm personale për përfituesit e titujve, por mbi të gjitha dëshmon angazhimin e vazhdueshëm, punën e palodhur dhe kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e dijes, kërkimit shkencor dhe shoqërisë, në përputhje me vlerat dhe misionin e Universitetit të Tiranës.
Para dhënies së titujve akademikë, mbajti fjalën përshëndetëse Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili theksoi rolin kyç të stafit akademik në forcimin e cilësisë dhe integritetit të arsimit të lartë.
Kryetarja e Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik, Prof. Dr. Mirela Lika, në fjalën e saj theksoi procesin rigoroz dhe standardet akademike që shoqërojnë fitimin e titujve.
Në vijim, dhe Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku, nënvizoi rëndësinë e kërkimit shkencor dhe përkushtimit akademik.
Universiteti i Tiranës uron të gjithë përfituesit e titujve akademikë për këtë arritje të rëndësishme dhe u dëshiron suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre akademik dhe shkencor.
