Kush mendon se në Shqipëri nuk ka të rinj të gatshëm për të hapur një biznes do të gabohet. Reforma e për formalizimin e ekonomisë, me sa duket nuk i ka frikësuar studentët e Universitetit të Tiranës të jenë shumë të motivuar për të hapur një biznes të ri të vogël.
Prej pesë vitesh, Universiteti i Tiranës (UT) është partner i Javës Globale të Sipërmarrjes (GEË), gjatë të cilës janë zhvilluar rreth 35.000 aktivitete të ndryshme duke u fokusuar në fushën sipërmarrjes në mbi 160 vende, me mbi 3 milion pjesëmarrës në total.
Më 19 nëntor, UT organizoi trajnimin “Si të filloni një biznes në Shqipëri” në Godinën “Liria”, ku morën pjesë rreth 250 studentë dhe të rinj, të cilët planifikonin të hapnin një biznes të ri. Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), e cila u demonstroi pjesëmarrësve procedure e aplikimit online për regjistrimin e një biznesi të ri në Shqipëri.
Sesioni i parë i aktivitetit u drejtua nga Z.Indri Dyrmishi, Menaxher i Zyrës së Transferimit të Teknologjisë pranë Universitetit të Tiranës, në kuadër të projektit Pacinno. Ky sesion ishte i dedikuar për domosdoshmërinë e të punuarit me një model biznesi për të gjithë ata të rinj që duan të kthjenë idetë e tyre në startup. Prezantimi i titulluar “Nga ideja në një plan biznesi” ngjalli interesim të madh nga pjesëmarrësit, të cilët morën disa këshilla shumë të dobishme për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit dhe një koncept të qartë të modelit të biznesit të paraqitur, atë të modelit të biznesit Canvas.
Sesioni i dytë iu kushtua punës dhe shërbimeve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Znj. Ilda Koja, Drejtore e Drejtorisë së Regjistrimit paraqiti llojet e ndryshme të regjistrimit të biznesit dhe dokumentet e nevojshme për këtë regjistrim. Për më tepër, Z.Orges Hajnaj, Drejtor i Departamentit të IT të QKR-së bëri një simulim të regjistrimit të biznesit në platformën online “e-Albania”, e cili i ndihmoi pjesëmarrësit për të marrë një informacion akoma më të detajuar mbi regjistrimin e një biznesi online.
Ky aktivitet i suksesshëm tregoi gatishmërinë e të rinjve në Shqipëri për të filluar udhëtimin e tyre në fushën e biznesit dhe për të kthyer idetë në biznese konkrete. Zyra e Transferimit të Teknologjisë pranë Universitetit të Tiranës do të organizojë më tej aktivitete të tjera me qëllimin për të ndihmuar studentët dhe të rinjtë në hapat e tyre të parë të biznesit, planin e tyre të biznesit dhe komercializimin e produkteve ose shërbimeve të tyre, si një nga asetet më të madha që Universiteti i Tiranës ka për të ndihmuar ekonominë vendase dhe punësimin e të rinjve.