jOiNEd For sUsTainability -bUilding climate REsilient communities in WB and EU - UNIVERSITETI I TIRANËS

jOiNEd For sUsTainability -bUilding climate REsilient communities in WB and EU

Titulli i Projektit: jOiNEd For sUsTainability -bUilding climate REsilient communities in

WB and EU

Akronimi: 1FUTURE

Programi: Erasmus+

Referenca: 101082815-ERASMUS-EDU-2022-CBHE-STRAND-2

Number of Partners: 18

Kohëzgjajta: 01/04/2023 – 31/03/2026

 

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë fillon zbatimin e projektit: “jOiNEd For sUsTainability – bUilding climate REsilient communities in WB and EU – 1FUTURE”. Në datat 3 dhe 4 maj 2023 u organizua takimi i hapjes së projektit. Në projekt morën pjesë institucionet e BE-së, përfaqësues të ambasadave, përfaqësues të biznest, përfaqësues nga palët e interesuara si dhe staf e studentë të IAL-ve partnere në projekt. Fusha e projektit është ngritja e kapaciteteve për forcimin e kërkimit dhe mësimdhënies në fushat e lidhura me Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Ndryshimet Klimatike. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, në kuadrin e programit Erasmus+. Projekti zbatohet në përputhje me objektivat e BE-së dhe specifikisht prioriteteve të lidhura me Marrëveshjen e Gjelbër (EU Green Deal).

Projekti, i cili do të drejtohet nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, do të zbatohet në partneritet me universitete në Ballkanit Perëndimor, universitete në vendet e zhvilluara të BE si dhe në bashkëpunim me partnerë jo akademik, si organizata jo fitimprurëse dhe shoqata biznesi. Projekti, do të fokusohet në zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve për të zbutur ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme.

Partnerë akademikë në projekt janë:

  • Universiteti i Tiranës
  • Universiteti Politeknik i Tiranës
  • Universiteti Luarasi
  • Universiteti i Tuzlës dhe University College “CEPS – Center for Business Studies” (Bosnie-Hercegovinë)
  • Universiteti i Malit të Zi (Mal i Zi)
  • Universiteti i Lundit (Suedi)
  • Universiteti i Eberswaldes (Gjermani)
  • Universiteti IUAV i Venecias (Itali)
  • Universiteti i Novi Sad-it (Serbi)
  • Universiteti i Shkupit (Maqedoni e Veriut)

 

Partnerë jo-akademikë do të përfshijnë NGO nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pjesëmarrës në projekt, shoqata biznesi dhe njëkohësisht edhe institucione publike. Partnerët jo-akademik në Shqipëri janë:

  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë,
  • Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionit – AKKSHI,
  • Instituti për Mbrojtjen e Natyrës – INCA

 

Një nga komponentët kryesorë të projektit është ngritja e kapaciteteve kërkimore në Universitet në sajë të krijimit të “Qendrës Kërkimore për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Klimën”, e cila do të ketë si objektiv realizimin e projekteve, kërkimeve dhe aktiviteteve në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm. Krijimi i qendrave kërkimore në Institucionet e arsimit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor do të mundësojnë edhe krijimin e një rrjeti për kërkim dhe edukim në rajon dhe në BE.

Bashkëpunimi me botën e biznesit është një tjetër objektiv i rëndësishëm i projektit, si një shtyllë thelbësore për arritjen e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Prandaj në kuadër të projektit do të krijohet një platformë bashkëpunimi mes universitetit, bizneseve dhe qeverisë për të arritur objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Platforma 1Future do të jetë një strukturë e hapur, e cila do të lejojë që informacioni dhe komunikimi të rrjedhin lirshëm midis të gjithë aktorëve të përfshirë në të. Si një mekanizëm inovativ, ajo do të shërbejë si një mjet për komunikim virtual ndërmjet studentëve dhe stafit nga njëra anë dhe sektorit të biznesit nga ana tjetër. Veçoritë e platformës do t’u mundësojnë pjesëmarrësve të dërgojnë dhe të marrin komente për ide të ndryshme, projekte, propozime kërkimore, raste studimore, etj. Platforma do të përdoret gjithashtu edhe për qëllime mësimore dhe kërkimore të stafit dhe studentëve të doktoraturës në institucionet e arsimit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Projekti do të fokusohet edhe në ngritjen e kapaciteteve për mësimdhënie në lëndë të lidhura me zhvillimin e qëndrueshëm. Stafi i Universiteteve partnere të Ballkanit perëndimor do të ketë mundësinë të ndjekë trajnime në Universitetet e BE për temat që lidhen me klimën ashtu edhe për metodologjitë e mësimdhënies. Mbas përfundimit të trajnimeve stafi akademik i Universiteteve në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të zbatojë metoda të reja të mësimdhënies në kurset ekzistuese të lidhura me qëndrueshmërinë si dhe të zhvillojë materiale mësimore.

Për më tepër në kuadër të këtij projekti do të ofrohen dhe kurse intensive për profesionistë të angazhuar në hartimin, zbatimin dhe mbështetjen e politikave për përshtatjen dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike, të punësuar në institucione të qeverisjes qendrore, rajonale dhe lokale, organizata jofitimprurës apo dhe për përfaqësues të biznesit të interesuar për të përmirësuar aftësitë e tyre në një sërë fushash që lidhen me ndryshimet klimatike.

Projekti ka filluar në Prill të 2023 dhe do të zbatohet për një periudhë 3 vjeçare, për të cilin do të ofrohet informacion i vazhdueshëm mbi ecurinë dhe ndikimin e tij në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimore.

Për më shumë informacion mbi projektin, ju lutemi vizitoni faqen e internetit të projektit: http://1future.feut.edu.al/ si dhe linkedin në faqen: 1FUTURE