UT dhe OSBE mbështesin kërkimin shkencor për krimin, shoqërinë, të drejtën penale dhe reformën në drejtësi.
Fakulteti i Drejtësisë, Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së dhe Universitetin e Pavias organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare “Krimi, shoqëria, e drejta penale dhe reforma në drejtësi”, më 10 qershor 2024. Pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht për prirjet aktuale të krimit dhe përgjigjen e drejtësisë penale ndaj krimit, përmes parandalimit, kundërvënies, ndërgjegjësimit dhe rehabilitimit të autorëve, duke përfshirë studentë të Masterit në Kriminologji që kanë bërë kërkime shkencore, studentë të tjerë të këtij programi, staf akademik të fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale, studiues të njohur, gjykatës, prokurorë dhe kandidatë të doktoraturës.
“Konferenca ka si qëllimin e saj kryesor përfshirjen e kërkuesve të rinj për të qenë pjesë e aktiviteteve shkencore cilësore. Ngritja e Qendrës Kërkimore të Kriminologjisë do të rrisë trajnimin e kërkuesve të rinj dhe do të ketë mundësi për të përfituar fonde në projekte studimi”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha.
Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, tha se përparësi e veprimtarive shkencore të qendrës do të jetë studimi i shkaqeve dhe i parandalimit të kriminalitetit, në të gjitha dimensionet e tij.
Në konferencë pjesëmarrës ishte Mauro Puzzo, drejtues i Departamentit të Prezencës së OSBE-së për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut ,drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në ambasadën amerikane në Shqipëri, John Kastning si edhe akademikë të Universitetit të Pavias dhe të Institutit të Kriminologjisë të Universitetit të Kembrixhit.
Konferenca u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”, i cili mbështetet financiarisht nga Byroja e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Masteri në Kriminologji, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është një program shumëdisiplinor, i orientuar drejt kërkimit. Ai ofron një kurrikulë gjithëpërfshirëse e të integruar, që mundëson karrierën në fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Programi u mundëson studentëve të eksplorojnë ndërlidhjet mes krimit, drejtësisë dhe shoqërisë, në kontekst krahasues, si edhe promovimin e drejtësisë restauruese për viktimat dhe përgjigjet me në qendër viktimat. Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit.
Një nga arritjet e projektit është ngritja e Qendrës Kërkimore të Kriminologjisë, në Fakultetin e Drejtësisë. Nëpërmjet Qendrës, kërkimi shkencor do t’i nënshtrohet kontrollit të cilësisë dhe përputhshmërisë me kornizën ligjore, për të ofruar analiza të sakta mbi shkaqet rrënjësore, modelet, nxitësit e krimit dhe parandalimin e krimit. Kërkimi në kriminologji qëndron në qendër të teorisë së kriminologjisë, ndikon në zhvillimin e politikave sociale, publike dhe të sigurisë, si edhe informon praktikën e drejtësisë penale.