Kampusi i Universitetit të Tiranës në fokus të zhvillimit të politikave infrastrukturore - UNIVERSITETI I TIRANËS

Kampusi i Universitetit të Tiranës në fokus të zhvillimit të politikave infrastrukturore

🎯Në kuadër të Konferencës së Rektorëve të Institucioneve të Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërise, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e projektit të Kampusit të Madh Universitar të Tiranës🏫, duke e cilësuar atë si një investim strategjik për zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

🔎Ai theksoi se projekti është i përfunduar në aspektin konceptual dhe se fazat e mëtejshme të realizimit do të ndërmerren në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Tiranës dhe 🔎institucionet përkatëse.

👉Gjatë fjalës së tij, Kryeministri vuri në dukje rolin qendror të Universitetit të Tiranës si institucioni kryesor publik i arsimit të lartë në vend, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve akademike, kërkimore dhe infrastrukturore të tij. Ai theksoi se krijimi i një kampusi modern universitar synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e studimit dhe punës për studentët dhe stafin akademik, si dhe të rrisë konkurrueshmërinë e Universitetit të Tiranës në hapësirën rajonale dhe evropiane të arsimit të lartë.

📌Kryeministri sqaroi gjithashtu se projekti për ndërtimin e Kolegjit të Europës nuk mbivendoset me projektin e Kampusit Universitar, por do të jetë i integruar funksionalisht me të. Infrastruktura akademike e këtij institucioni, përfshirë bibliotekat, sallat e konferencave dhe hapësirat e tjera studimore, do të jetë e ndërlidhur me kampusin universitar dhe do të vihet në shërbim të komunitetit akademik dhe studentor, duke nxitur bashkëpunimin akademik dhe shkëmbimin e praktikave më të mira evropiane.

✅Rektorati i Universitetit të Tiranës do të vijojë të informojë komunitetin akademik mbi zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë projekt strategjik, në funksion të forcimit të rolit të Universitetit të Tiranës si qendër kombëtare e dijes dhe inovacionit.

 

 

Uni Education by Shark Themes