Historiku - UNIVERSITETI I TIRANËS

Historiku

Universiteti i Tiranës është themeluar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Nr. 207, datë 30.05.1957, me emrin “Universiteti Shtetëror i Tiranës”.

Universiteti i Tiranës në krijimin e tij kishte 6 fakultete. Fillesat e para për ngritjen e këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në Shqipëri i gjejmë në vitin 1946, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik dy vjeçar dhe në vitin 1947, kur u hap Instituti i Shkencave. Gjatë viteve 1946-1956 funksiononin në Tiranë gjashtë  institute të larta: Instituti  Pedagogjik,  Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik. Mbi bazën e këtyre instituteve u themelua institucioni i parë i arsimit të lartë i tipit Universitet që u quajt Universiteti Shtetëror i Tiranës. Ky institucion u krijua për të plotësuar nevojat në rritje të vendit për specialistë të kualifikuar. Në rritjen dhe konsolidimin e institucionit një kontribut të madh dhanë një numër i madh profesorësh të kualifikuar në universitetet e huaja.

Në vitin e parë akademik 1957-1958, universiteti kishte 3613 studentë. Studentët do të diplomoheshin në 15 specialitete. Në vitin 1967, universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë të tij duke i dhënë këtij universiteti një dinamizëm më të madh. Kështu pas 20 viteve nga krijimi, në vitin 1977 numri i studentëve pa shkëputje nga puna arriti në 8880; nga të cilat rreth gjysma ishin vajza. Duhet theksuar që në këto vite të para ishin diplomuar 21368 studentë të cilët më pas u angazhuan në sektorët më të vështirë të jetës së vendit.

Në vitin 1991, nga UT-ja (në atë kohë me 11 fakultete) u shkëputën fakultetet inxhinierike dhe u krijua Universiteti Politeknik i Tiranës me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.215, date 15.07.1991. Në janar të vitit 2013 Fakulteti i Mjekësisë  dhe Fakulteti  i Shkencave  Mjekësore  Teknike (ish- Fakulteti  i Infermierisë) u shkëputën  nga Universiteti i Tiranës për të krijuar Universitetin e Mjekësisë.

Sot, Universiteti i Tiranës është universiteti më i madh publik në vend. Ai përbëhet nga 6 fakultete dhe 2 institute, ka 174 programe në të tre ciklet e studimit, staf akademik të brendshëm me kohë të plotë 779 pedagogë dhe rreth 23551 studentë. Universiteti i Tiranës, falë traditës, nivelit të lartë të përgatitjes, kualifikimit dhe atestimit, mbetet universiteti më i kërkuar në  Republikën  e  Shqipërisë.  Ai synohet nga  shumica  e  nxënësve,  që  mbarojnë shkollat e mesme në Republikën e Shqipërisë dhe në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. UT-ja është dekoruar nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Urdhëri Nderi i Kombit” me motivacionin për kontributin e shquar në zhvillimin e shkencës, arsimit, kulturës dhe ekonomisë shqiptare me dekretin Nr. 1959, datë 19.11.1997.