Me datë 30 Shtator, 2024, Profesore Merita Xhumari, Departamenti i Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian COST Action (DIGI-net) CA 21107 “Work inequalities in later life redefined by digitalization” (“Pabarazitë në punë për grupmoshat e larta të përcaktuara nga dixhitalizimi”), inicioi dhe realizoi workshopin me aktorët politikë në mjediset e Universitetit të Tiranës (Agjenda bashkëngjitur).
Si Anëtare e Komitetit Drejtues të projektit dhe Koordinatore e “Older Workers Reference Group” (Grupit Përfaqësues të të Punësuarve të Grupmoshave të Larta) brenda këtij projekti, me mbështetjen e Dr. Martina Rasticova, Drejtuese e projektiti dhe Iris Finger, menaxhere e financave, realizuam një nga objektivat e tij për të ndarë përvojat e bazuara në gjetjet e kërkimeve shkencore nga disa prej institucioneve me presigjioze të Evropës me të gjitha palët e interesuara, si brenda edhe jashtë projektit COST Action (DIGI-net) CA 21107, në lidhje me impaktin e digjitalizimit për grupmoshat e larta në tregun e punës.
Workshopi u mbështet nga drejtuesit kryesore të Universitetit të Tiranës në Rektorat, si dhe të Fakultetet të Shkencave Sociale dhe të Fakultetit të Ekonomisë. Duke respektuar parimin e dialogut social, u ftuan të merrnin pjesë jo vetëm akademikë dhe studjues anëtarë dhe jo anëtarë të networkut të COST, por edhe përfaqësues nga institucionet qendrore publike, përfaqësues nga punëdhënësit dhe punëmarrësit, sindikatat më të mëdha në vend, të cilëve iu dha mundësia të moderonin nga një panel me diskutime. Ishte në nderim të Universitetit të Tiranës prezenca e folësve kryesorë si Prof. William Bartlett nga London School of Economics and Political Sciences, Ivana Prica, profesore në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Belgradit, të cilët referuan për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor; Pietro Checcucci nga National Institute for Public Policy Analysis (INAPP), Italy; Dragos Adascalitei, Drejtues i studimeve mbi Kushtet e Punës në Eurofound, Anette Scoppetta, zv. Drejtore e European Centre for Social Policy and Research, Viena, dhe Profesore Aine Ni Liene, Galway University, Irland, e cila referoi në detaje rastin e Irlandës. Pas çdo prezantimi, audienca vazhdoi me pyetje e diskutime mbi impaktin e digjitalizimit në grupmoshat e larta në tregun e punës.
Kontributi i tyre do të shërbejë si një katalizator për diskutimet kuptimplota midis aktorëve të ndryshëm, me besimin se do të ketë impakt në politikbërje. Ndërveprimi kompleks midis dixhitalizimit dhe fuqisë punëtore në kontekste të ndryshme kombëtare dhe profesionale, do të reflektojë perspektivat e aktorëve të ndryshëm në tregut të punës. Punëdhënësit private të përfaqësuar nga Business Albania investonin për mbajtjen sa më gjatë në punë të grupmoshave të larta, ndryshe nga punëdhënësi shtet që i nxirrte jashtë tregut me mbushjen e moshës së daljes në pension. Punëdhënësit privatë shtruan nevojën e heqjes së barrës së kontributeve të sigurimeve shoqërore për kategorine e të punësuarve që edhe pse kishin dalë në pension vazhdonin të ushtronin profesionin e tyre ne treg. Gjithashtu, studiues nga Universiteti i Tiranës, veçanërisht nga Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Ekonomisë, paraqitën kërkimet e tyre mbi impaktin e dixhitalizimit në riformulimin e politikave për plakjen aktive dhe se si këto dinamika mund të nxisin transformime institucionale dhe kulturore si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë organizativ. Veçanërisht kjo del si domosdoshmëri për rajonin e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Shqipëria që ka përjetuar migrim të lartë, veçanërisht në forcave aktive të reja që synojnë për një jetë më të mirë.
Në këtë kontekst u nënvizua si rekomandim që të gjithë aktorët e shoqërisë sonë të përqendrohen në përshtatjen e politikave të tregut të punës me strategjitë e digjitalizimit, me qëllim zhvillimin e njohurive, aftësive dhe kompetencave të punëtorëve të moshuar në përshtatje me kërkesat dixhitale të tregut të punës.
Ky workshop u vlerësua nga të gjithë të pranishmit aktivë se ofroi një platformë thelbësore për palët e interesuara që të përfshihen në dialog të frytshëm, të ndajnë perspektivat e tyre dhe të nxisin kërkime bashkëpunuese dhe pjesëmarrëse në këtë fushë, të cilat janë të vlefshme për t’u zbatuar edhe në Shqipëri. Universiteti do të shërbejë si katalizator për debate të tilla frytdhënëse, që përmes prezantimit të gjetjeve të kërkimeve shkencore të orientojë politikbërësit duke krijuar ura lidhjeje mes gjithë aktorëve të shoqërisë në avancimin e politikave dhe të praktikave në sektorët kryesorë të ekonomisë.
https://www.facebook.com/share/p/gFMrgZr2MwJ4xPwW/?mibextid=WC7FNe
Prof.Dr.Merita Xhumari, Departamenti i Shkencave Politike,
Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës
Anëtare e Komitetit Drejtues dhe Koordinatore e “Older Workers Reference Group” të COST Action “Work inequalities in later life redefined by digitalization” (DIGI-net) CA 21107
Contact: E-mail meritax22@gmail.com; merita.xhumari@unitir.edu.al