Ceremoni madhështore për diplomimin e juristëve të rinj! - UNIVERSITETI I TIRANËS

Ceremoni madhështore për diplomimin e juristëve të rinj!

Ceremoni madhështore për diplomimin e juristëve të rinj!

Rreth 1300 studentë të diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitet akademike 2023-2024 dhe 2024-2025, u bashkuan në një ceremoni madhështore diplomimi në Pallatin e Koncerteve. Dekania e Fakultetit, Prof. Dr. Dorina Hoxha, e cilësoi këtë një ditë krenarie.

“Ditën e diplomimit të studentëve tanë, është kënaqësi e veçantë të jem këtu për të ndarë një moment të jashtëzakonshëm. Nuk është vetëm një festë, por një ditë krenarie për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e rrugëtimit të tyre akademik. Ne, si akademikë, kemi privilegjin të shohim frytin e punës sonë në suksesin e tyre. Studentë të dashur, jeni forca e re që do të mbani mbi supe ndryshimet e kohës”, – tha ajo.

Mesazhi i Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe njëkohësisht pedagog në këtë fakultet, Prof. Dr. Artan Hoxha, ishte falënderues dhe frymëzues për të sapodiplomuarit.

“Të japësh drejtësi, të ndash të mirën nga e keqja, nuk është thjesht një punë, por është një mision. Dhe ky mision, aq sa duket i bukur, aq është edhe i vështirë, sepse kërkon jo vetëm përgatitje profesionale, por edhe ndershmëri në raport me ligjin, shtetin dhe qytetarin”, – deklaroi ai.

Rektori Hoxha tha se studentët po hyjnë në udhën e jetës në një moment kur Shqipëria është futur në procesin final të integrimit, dhe kjo do të krijojë hapësira të mëdha punësimi për të rinjtë në shumë fusha, e padyshim edhe në atë të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dikur student i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ndau me juristët e sapodiplomuar kujtime nga jeta e tij studentore dhe i nxiti të këmbëngulin për arritjen e objektivave në karrierë.

“Është një emocion i veçantë, sidomos kur flas pas dekanes, e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në rrugëtimin tim, pasi ka qenë udhëheqëse e tezës sime të diplomës. Është shumë e rëndësishme të mos bëjmë gabimin që shpesh bëjnë studentët kur diplomohen: duket sikur aty merr fund rruga drejt dijes. Të mësoni nga çdo përvojë, çdo ndërveprim, çdo takim dhe vendim që do të merrni. Nga përvoja ime dua t’ju them se do të jeni të sigurt vetëm përmes përvojës që fitoni”, – tha Lamallari.

Kjo ceremoni ishte edhe një prezantim i parë i drejtpërdrejtë i trupës së profesoratit të këtij fakulteti me ministren e re të Arsimit, Mirela Kumbaro.

“Keni kaluar në faza që kanë vënë në sprovë durimin dhe përkushtimin tuaj. Shkolla dhe universiteti nuk janë thjesht institucione, por busulla orientuese për të gjithë shoqërinë. Si juristë të rinj, ju jeni mbajtës të kësaj busulle”, – tha Kumbaro.

Uni Education by Shark Themes