🏛️ Historiku i Universitetit të Tiranës
Universiteti i Tiranës u themelua më 30 maj 1957, me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nr. 207, me emrin “Universiteti Shtetëror i Tiranës”. Në krijimin e tij, universiteti kishte 6 fakultete.
Fillesat për ngritjen e këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në Shqipëri datojnë që nga viti 1946, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik dyvjeçar, dhe në vitin 1947, kur u hap Instituti i Shkencave. Gjatë viteve 1946–1956, në Tiranë funksiononin gjashtë institute të larta:
- Instituti Pedagogjik
- Instituti Politeknik
- Instituti Mjekësor
- Instituti Bujqësor
- Instituti Ekonomik
- Instituti Juridik
Mbi bazën e këtyre instituteve u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës, i cili u krijua për të plotësuar nevojat në rritje të vendit për specialistë të kualifikuar. Në rritjen dhe konsolidimin e institucionit, një kontribut të madh dhanë një numër i madh profesorësh të kualifikuar në universitetet e huaja.
Në vitin e parë akademik 1957–1958, universiteti kishte 3.613 studentë, të cilët do të diplomoheshin në 15 specialitete. Në vitin 1967, universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë, duke i dhënë këtij universiteti një dinamizëm më të madh. Kështu, pas 20 vjetësh nga krijimi, në vitin 1977, numri i studentëve pa shkëputje nga puna arriti në 8.880, nga të cilët rreth gjysma ishin vajza. Në këto vite të para ishin diplomuar 21.368 studentë, të cilët më pas u angazhuan në sektorët më të vështirë të jetës së vendit.
Në vitin 1991, nga UT-ja (në atë kohë me 11 fakultete) u shkëputën fakultetet inxhinierike dhe u krijua Universiteti Politeknik i Tiranës, me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 215, datë 15.07.1991. Në janar të vitit 2013, Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike (ish-Fakulteti i Infermierisë) u shkëputën nga Universiteti i Tiranës për të krijuar Universitetin e Mjekësisë.
Sot, Universiteti i Tiranës është universiteti më i madh publik në vend. Ai përbëhet nga 6 fakultete dhe 2 institute, ofron 163 programe në të tre ciklet e studimit, ka personel akademik me kohë të plotë prej 843 pedagogësh dhe rreth 22.000 studentë.
Universiteti i Tiranës, falë traditës, nivelit të lartë të përgatitjes, kualifikimit dhe atestimit, mbetet universiteti më i kërkuar në Republikën e Shqipërisë. Ai synohet nga shumica e nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme në Republikën e Shqipërisë dhe në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.
UT-ja është dekoruar nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Urdhri Nderi i Kombit”, me motivacionin për kontributin e shquar në zhvillimin e shkencës, arsimit, kulturës dhe ekonomisë shqiptare, me dekretin nr. 1959, datë 19.11.1997.