Konferenca “Kadare në Letrat Botërore” - UNIVERSITETI I TIRANËS

Konferenca “Kadare në Letrat Botërore”

Më datë 28 janar 2021 në Rektoratin e Universitetit të Tiranës u mbajt Konferenca “Kadare në Letrat Botërore”, në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare, në 85-vjetorin e lindjes.
Në këtë konferencë të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, qenë të pranishëm Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Artan Hoxha, Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, Akademik Vasil Tole, Botuesi i veprës së Kadaresë, Z. Bujar Hudhri, shkrimtarë, studiues e profesorë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha u shpreh ndër të tjera se: “Në universitetin tonë vepra e Kadaresë është një vizion për sesi universiteti duhet të përsoset, duhet të mendojë, të përçojë angazhim për përmirësimin e cilësisë së jetë dhe emancipimin kulturor.”
Gjithashtu Rektori risolli në vëmendje se “në zemër të panteonit të personaliteteve të mëdha të kulturës, letërsisë, shkencës, politikës, të cilët Universiteti i Tiranës, i ka nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa”, si: Orhan Pamuk, Alain Bosquet, Vedat Kokona, Ferid Murat, Romano Prodi, Ibrahim Rugova, Dritëro Agolli, Francesko Altimari, Matteo Mandala, Lucia Nadini, Marie Royce, etj…, është edhe Ismail Kadare, i cili vetvetishëm i jep më shumë shkëlqim këtij panteoni, që na frymëzon me kumte dhe vlera universale mendimi”.
Në konferencë referuan kumtesat e tyre për aspekte letrare dhe gjuhësore të veprës së Ismail Kadaresë edhe pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës: Prof. Asoc. Lili Sula, Prof. Asoc. Viola Isufaj, Prof. Dr. Mimoza Kore, Prof. Asoc. Kristaq Jorgo, Dr. Elsa Skënderi Rakipllari etj.

6

Image 6 of 7