Konferenca Shkencore Studentore Ndërkombëtare e Universitetit të Tiranës, Edicioni i III
Universiteti i Tiranës zhvilloi me sukses edicionin e tretë të Konferencës Shkencore Studentore Ndërkombëtare, një aktivitet që promovon ekselencën akademike dhe kërkimin shkencor të studentëve.
Konferenca përfshiu një gamë të gjerë tematikash, nga Shkencat Humane dhe Shoqërore, Shkencat Natyrore, Shkencat Juridike dhe Ekonomike, deri te Shkencat e Komunikimit, Edukimit dhe Teknologjisë, Shkencat Inxhinierike dhe Teknologjike, si edhe Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë.
Aktiviteti u zhvillua në gjashtë sesione paralele dhe përfshiu gjithsej dymbëdhjetë panele shkencore. Gjatë konferencës u prezantuan 208 punime me referim, ndërsa 20 punime të tjera u paraqitën në formë posterash, duke dëshmuar nivelin e lartë të angazhimit dhe cilësisë së kërkimit nga studentët pjesëmarrës.
Në total morën pjesë 460 studentë, mes të cilëve ishin edhe 12 pjesëmarrës nga Universiteti i Tetovës dhe 3 të tjerë nga universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit. Konferenca u pasurua gjithashtu nga pjesëmarrja e studentëve Erasmus, ku një prej tyre u përzgjodh për prezantim në sesionin plenar.
Ky event ishte një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit akademik dhe zhvillimit të kërkimit shkencor, duke krijuar një hapësirë ku idetë dhe kontributet studentore morën vlerësimin e duhur.
