Departamenti i Gjuhësisë dhe Departamenti i Historisë organizuan konferencën shkencore “Kongresi i Manastirit” në përvjetorin e tij të 115-të. Konferenca u nderua me pjesëmarrjen e Akademik Rexhep Ismajlit, i sapovlerësuar me titullin “Doctor Honoris Causa”, Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë trajtuan me hollësi rëndësinë e Kongresit të Manastirit dhe rolin e personaliteteve më të shquara shqiptare të kohës në realizimin e kësaj ngjarjeje madhore për kombin tonë.
Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.
Sot, pas 115 vitesh, ky Kongres njihet e do të vazhdojë të njihet si Kongresi i Alfabetit, Kongresi që bëri kthesë për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, Kongres nga i cili u formua alfabeti unikal shqiptar. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.
Ky kongres u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Ndër figurat e dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare, pjesëmarrës në kongres ishin: Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani.
Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar. Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.