Një humbje e madhe për UT-në dhe shkencën e matematikës! - UNIVERSITETI I TIRANËS

Një humbje e madhe për UT-në dhe shkencën e matematikës!

Një humbje e madhe për UT-në dhe shkencën e matematikës!

U nda nga jeta profesori i nderuar Mina Naqo, një nga figurat më të shquara të matematikës shqiptare dhe personalitet në fushën e arsimit të lartë.
Prof. Dr. Mina Naqo lindi në 12 janar 1939, në qytetin e Vlorës, ku kreu arsimin 8 vjeçar dhe të mesëm. Më pas ai ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, ku shkëlqeu si student në fushën e matematikës.
Pas diplomimit, ai iu përkushtua Departamentit e Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku për dekada shërbeu si pedagog. Përveçse një studiues dhe pedagog i shkëlqyer, ai ishte një frymëzues i studentëve që aspironin mësuesinë dhe shkencën e matematikës.

Prof. Naqo ishte autor dhe bashkautor i teksteve të shumta universitare dhe shkollore, të cilat për vite u shndërruan në bazë të formimit të mijëra nxënësve dhe studentëve shqiptarë. Me punën e tij kërkimore dhe botimet shkencore, ai la gjurmë të çmuara në zhvillimin e matematikës dhe në ngritjen e standardeve akademike në vend.
Por profesor Naqon do ta kujtojmë mbi të gjitha, si njeri të thjeshtë e të përkushtuar në punë. Tek ai ndërthureshin më së miri korrektësia para punës dhe profesionit me ngrohtësinë njerëzore me kolegët dhe studentët.

Në emër të Universitetit të Tiranës dua ti shpreh ngushëllimet familjes së profesor Naqos, por edhe kolegëve të shumë të tij në Fakultetin e Shkencave të Natryrës dhe fakultete të tjera të Univiersitetit të Tiranës

Prof. Dr. Artan Hoxha
Rektor i Universitetit të Tiranës

Uni Education by Shark Themes