Organizmi i studimeve në Universitetin e Tiranës - UNIVERSITETI I TIRANËS

Organizmi i studimeve në Universitetin e Tiranës

ORGANIZIMI I STUDIMEVE NË UNIVERSITETIN E TIRANËS

 

Studimet universitare

Në përputhje me parashikimet ligjore, format e studimit që ofrohen nga njësitë kryesore të Universitetit të Tiranës, janë:

a) studime me kohë të plotë;

Organizimi i studimeve universitare me kohë të plotë

Programet e studimit në UT organizohen në tri cikle të njëpasnjëshme:

a) cikli i parë;

b) cikli i dytë;

c) cikli i tretë.

Në fusha të veçanta, Universiteti i Tiranës ofron programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku, të cilat realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite akademike.

Programet e studimit në ciklin e parë

Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh.

  1. Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike.
  2. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome.
  3. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Cikli i parë i Studimeve (me 35 Programe) Lloji i Diplomës Bachelor.

__________________________________________________________________________

Programet e studimit në ciklin e dytë

Programet e studimit në ciklin e dytë mund të organizohen në programe studimi “Master i Shkencave” ose “Master Profesional”.

Programi i studimit “Master i Shkencave”
  1. Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i Shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës.
  2. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
  3. Programi i studimit mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Programi i studimit “Master Profesional”
  1. Programet e studimit “Master Profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike
  2. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome.
  3. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

Lloji i Diplomës Master Profesional,

Lloji i Diplomës Master i Shkencave.

______________________________________________________________________________

Programet e studimit në ciklin e tretë

Programet e studimit në ciklin e tretë të studimeve mund të organizohen në programe studimi “Master Ekzekutiv”, programe specializuese afatgjata, si edhe në programe studimi të doktoratës.

Cikli i tretë i Studimeve (me 38 programe)  Lloji i Diplomës Doktoratë.