Ky projekt përfshiu studentët e Masterit Shkencor në Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik, si dhe ata të vitit të tretë Bachelor, dega Gjuhë dhe Komunikimi. Kjo përvojë profesionale ofroi për studentët realizimin e një produkti që del nga korniza klasike e detyrave universitare dhe i ballafaqoi me problematikat, kushtëzimet dhe përgjegjësitë e një pune në një kuadër profesional.
Në nivelin universitar, ky projekt afirmoi mbështetjen dhe përfshirjen e studentëve në projekte dhe veprimtari të aktorëve kulturorë dhe turistikë (si muzetë, mediat) si dhe vullnetin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve me partnerët në fushën profesionale.
Projekti zhvilloi disa trajnime:
- Analiza e modeleve të audioguidave, (kohëzgjatja e trajnimit: 21 orë)
- Analiza e imazhit, (kohëzgjatja e trajnimit: 14 orë)
- Trajnim për të shprehurin me gojë: teknika dhe ushtrime për komunikimin me gojë (kohëzgjatja e trajnimit: 15 orë)
Projekti u realizua në 3 faza:
- Nëntor 2018: Prezantimi dhe zbatimi i projektit: krijimi i grupeve të punës, vizita e parë e muzeut, identifikimi i punimeve që duhet të komentohen, drafti i parë i kursit; prodhimi i strukturës së audioguidës dhe shpërndarja e punës ndërmjet studentëve;
- Dhjetor 2018- Shkurt 2019: Dokumentimi dhe puna me shkrim nga studentët; rishikimi i teksteve nga përgjegjësi shkencor dhe zyrtarët e muzeut;
- Mars – Prill 2019: Regjistrimi i pjesëve të guidës audio në studio nga studentët dhe gazetarja e Radio Tirana International në frëngjisht. Secili student ka marrë përgjegjësinë për një ose më shumë pjesë të audioguidës, që nga konceptimi deri tek leximi i teksteve, redaktimi dhe regjistrimi përfundimtar në bashkëpunim me përgjegjësin e projektit dhe drejtoreshën e muzeut.
Si rezultat i punës së kryer, Muzeu « Shtëpia e gjetheve », zotëron të gatshme për përdorim audioguidën e plotë në gjuhën e frënge, e cila mund të përdoret për të shoqëruar në mënyrë të pavarur vizitorët.
Projekti nxiti interesin e Ambasadës së Italisë në Shqipëri për të mbështetur Departamentin e Gjuhës Italiane në realizimin e audioguides në italisht, duke marrë për bazë punën e kryer nga ky projekt.
Gjithashtu ka shërbyer si nxitës dhe përhapës i veprimtarive të tjera të kryera nga studentë e pedagogë të fakultetit tonë, ku ndërthuren njohuritë akademike me përvojën në terren.