Rektori i UT pret delegacionin e Fondacionit të Shoqatës Botërore të Juristëve - UNIVERSITETI I TIRANËS

Rektori i UT pret delegacionin e Fondacionit të Shoqatës Botërore të Juristëve

Rektori i UT pret delegacionin e Fondacionit të Shoqatës Botërore të Juristëve

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, priti në ambientet e UT delegacionin e Fondacionit të Shoqatës Botërore të Juristëve, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Kongresit të Juristëve, i cili do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027.

 Gjatë kësaj vizite pune u diskutuan çështjet organizative dhe parapërgatitore për Kongresin Botëror të Juristëve 2027.

 Në takim morën pjesë:

• Znj. Angela Montoya – Drejtuese Ekzekutive (CEO) e Fondacionit

Z. Gabriel Fernandez Rojas – Shef Kabineti i Presidentit të Fondacionit

• Z. Jacopo Docampo – Koordinator i Përgjithshëm i Fondacionit

Gjithashtu në këtë takim ishte e pranishme Dr. Enkeleda Pano, Këshilltare në kabinetin e Ministrit të Drejtësisë, Z. Besfort Lamallari, si dhe Dr. Erida Elmazi, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë në UT.

Kjo vizitë u zhvillua në vijim të pjesëmarrjes së Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, në Kongresin e Shoqatës Botërore të Juristëve, mbajtur më 4–7 maj 2025 në Santo Domingo, Republika Dominikane, ku u hodhën hapat e parë drejt organizimit të Kongresit të ardhshëm në Shqipëri.

Kongresi Botëror i Juristëve 2027 pritet të jetë një ngjarje madhore ndërkombëtare, që do të sjellë në Shqipëri personalitete të njohura të fushës së drejtësisë, akademisë dhe politikës.

 

Uni Education by Shark Themes