Standardizimi dhe Certifikimi i Gjuhës Shqipe në Diasporë!
Në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u zhvillua takimi me temë: “GJUHA SHQIPE SI POLITIKE SHTETËRORE: Standardizimi dhe Certifikimi në Diasporë”, ku morën pjesë pedagogë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit, ndër të cilët Prof. Dr. Artan Hoxha, Rektor i Universitetit të Tiranës, Ministre e Arsimit Znj. Mirela Kumbaro, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku dhe Znj. Mimoza Hysa, Drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e programeve të diasporës dhe rolin kyç të Universitetit në forcimin e identitetit kulturor të shqiptarëve. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vuri në fokus bashkëpunimin ndërinstitucional dhe strategjitë për standardizimin e mësimit të gjuhës shqipe jashtë vendit. Prof. Dr. Mark Marku, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prezantoi iniciativat akademike dhe projektet që përfshijnë pedagogët dhe studentët e gjuhës shqipe, ndërsa Znj. Mimoza Hysa, Drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën, theksoi rëndësinë e revistave letrare dhe arsimore, si Kursen Shqirka, që informon periodikisht mbi zhvillimet në shkollat shqiptare jashtë vendit.
Takimi shërbeu si një platformë për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e certifikimit dhe standardizimit të gjuhës shqipe në diasporë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit akademik, inovacionit dhe forcimit të identitetit kulturor të të rinjve shqiptarë jashtë vendit.
