Studentët e Universitetit të Tiranës në një konferencë ndërkulturore në Gjermani!
Një grup studentësh të Masterit të Shkencave në Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik (trigjuhësh), nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, morën pjesë në një konferencë ndërkulturore të zhvilluar në Eberswalde, Gjermani, me fokus turizmin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin akademik ndërkombëtar. Konferenca titullohet “Mes mbrojtjes dhe përdorimit – e ardhmja e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri”, dhe është organizuar në kuadër të një projekti kërkimor të përbashkët mes Universitetit të Tiranës dhe University for Sustainable Development (HNEE).
Studentët tanë kanë punuar për muaj me radhë, që nga dhjetori, për përgatitjen dhe organizimin e kësaj konference, ku u paraqitën studime kërkimore në fusha si:
🔹 Ruajtja e trashëgimisë kulturore
🔹 Eko-turizmi dhe zgjidhjet e bazuara në natyrë
🔹 Marketingu i turizmit dhe përfshirja e aktorëve
🔹 Infrastruktura
Në këtë konferencë mori pjesë edhe një përfaqësi nga Ambasada e Shqipërisë në Berlin, e cila përshëndeti iniciativën dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimeve akademike në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Prof. Dr. Anila Paparisto, Zëvendësrektore për Kërkimin Shkencor, Projektet dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Universitetin e Tiranës, e cila vlerësoi bashkëpunimin me HNEE si një model të frytshëm ndërkombëtarizimi dhe fuqizimi të rolit të studentëve në kërkimin e aplikuar.
Konferenca u drejtua nga një ekip ndërkombëtar akademik i përbërë nga:
• Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT,
• Dr. Drita Rira, Zëvendësdekane dhe Koordinatore Akademike Erasmus+, UT,
• Prof. Dr. Claudia Brözel, Drejtuese e programit master për Menaxhim të Turizmit të Qëndrueshëm, HNEE.
Përmes këtij bashkëpunimi, studentët patën mundësinë të angazhohen në kërkime praktike me ndikim real, të zhvillojnë kompetenca ndërkulturore dhe shumëgjuhëshe, si dhe të kontribuojnë në debatet mbi zhvillimin e turizmit në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Ky projekt përbën një shembull të qartë të orientimit të Universitetit të Tiranës drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe nxitjes së partneriteteve akademike që lidhin kërkimin shkencor me nevojat konkrete të shoqërisë.