Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, mirëpriti në një vizitë zyrtare Znj. Alla Navolokina, Presidente e Universitetit Ndërkombëtar Evropian në Kiev, Ukrainë.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte vendosja e bashkëpunimit akademik mes dy universiteteve, i cili mund të finalizohet në të ardhmen me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi, në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë diskutimit, palët theksuan rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si dhe organizimin e simpoziumeve, konferencave dhe aktivitete kulturore, që do të pasurojnë më tej jetën akademike dhe ndërkombëtarizimin e të dy institucioneve.
Universiteti i Tiranës vijon të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke krijuar më shumë mundësi për studentët dhe stafin akademik.