Thellohet bashkëpunimi akademik mes Universitetit të Tiranës dhe ISCTE Lisbonë
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, së bashku me një delegacion me përfaqësues nga fakulteti i Shkencave Sociale, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Institutit Universitar të Lisbonës (ISCTE), ku u prit nga Rektorja e ISCTE-së, Prof. Helena Carreiras.
Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, u hodhën bazat për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit akademik dhe shkencor, përfshirë:
•zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimit;
•rritjen e mobilitetit të stafit akademik, studentëve dhe personelit administrativ;
•zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore.
Gjatë qëndrimit në ISCTE, u zhvillua dhe një takim me kolegë të Shkollës së Shkencave Sociale dhe Shkollës së Sociologjisë dhe Politikave Publike, ku u diskutuan mundësi konkrete bashkëpunimi në fusha të përbashkëta të interesit akademik.
Gjatë takimit mes Rektorëve u nënshkrua një marrëveshjeje bashkëpunimi me spektër më të gjerë se ai i deritanishëm, duke përfshirë gjithashtu disiplinat ekonomike dhe teknologjinë e komunikimit dhe informacionit.
Ky takim institucional përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve akademike ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe ISCTE Lisbonë, në funksion të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave në arsimin e lartë.