Është firmosur Marrëveshja e Bashkëpunimit Akademik dhe Shkencor mes Universitetit të Tiranës, përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Artan Hoxha, Universitetit të Mjekësisë, përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Xheladin Draçini dhe Universitetit Ndërkombëtar Evropian në Kiev, Ukrainë, përfaqësuar nga Presidentja Znj. Alla Navolokina.
Ky bashkëpunim synon:
-Kërkime të përbashkëta shkencore
-Shkëmbime akademikësh, studentësh dhe programesh studimi
-Organizimin e simpoziumeve, konferencave dhe leksioneve të përbashkëta
-Krijimin e programeve të përbashkëta studimore dhe diplomave të përbashkëta
Palët angazhohen të zhvillojnë veprimtari në fusha me interes të përbashkët, në përputhje me marrëveshjet që do të formalizohen nga institucionet përkatëse.
Rektori i UT-së, Prof.Dr. Artan Hoxha vlerësoi këtë marrëveshje si një hap të parë për mundësinë e shkëmbimit të studentëve mes dy universiteteve dhe mes dy vendeve. Kjo marrëveshje merr një vlerë të shtuar, për shkak të kushteve që po kalon Ukraina si pasojë e luftës me Rusinë.
Gjithashtu edhe Znj.Navolokina vlerësoi marrëveshjen si një mundësi të shkëlqyer për ti hapur rrugë shkëmbimit të kërkimit shkencor, stafeve akademike dhe mbi të gjitha studentëve, mes universiteteve në Ukrainë dhe universiteteve shqiptare, si UT dhe Universiteti i Mjeksisë.
UT është në një proces të vazhdueshëm ndërkombëtarizimi dhe po shton nga viti në vit programet në gjuhët e huaja, për të mundësuar ndjekjen e studimeve edhe nga studentë të huaj.