Universitetet, kontribut për integrimin e rajonit në Bashkimin Europian! - UNIVERSITETI I TIRANËS

Universitetet, kontribut për integrimin e rajonit në Bashkimin Europian!

 
Universitetet, kontribut për integrimin e rajonit në Bashkimin Europian!
 
Në kuadër të Procesit të Integrimit Europian të Ballkanit, u zhvillua Konferenca e Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit, me temë “Promovimi i Turizmit në Ballkan” për të diskutuar rritjen e rolit të universiteteve në integrimin e rajonit në BE.
Në këtë konferencë ishin të ftuar Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu, Rektori i Trakya University, Turqi, Znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sporteve, Zonja Federica Mogherini, Rektore e Kolegjit Europian dhe një sërë personalitetesh të botës akademike nga universitete të ndryshme të Ballkanit.
 
Ne fjalën hyrëse, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Artan Hoxha shprehu kënaqësinë në emër të Universitetit të Tiranës, si organizator i këtij takimi, i cili mban edhe Presidencën e BUT për vitin 2024. Gjithashtu, Prof. Hoxha theksoi se pjesëmarrja dhe interesi në këte konferencë dëshmon më së miri ndërveprimin mes Institucioneve të Arsimit te Lartë në mbështetje të procesit të integrimit europian dhe po ashtu të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në rajonin tonë. Roli i universiteteve në këto dy procese është shumë i rëndësishëm, pasi ato përgatisin specialistët e ligjit, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të menaxhimit të turizmit, të trashëgimisë kulturore, arkeologjisë, etj.
 
Ndërsa Ministri i Arsimit dhe Sporteve, Znj. Manastirliu, në fjalën e saj theksoi se janë bërë hapa përpara sa i përket programeve si Horizon, Erasmus+, Eureka, etj, në zhvillim të projekteve të ndryshme por edhe të kapacitetit që qeveria po vendos në dispozicion për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe ato ndërkufitare. Gjithashtu, znj. Manastirliu shtoi se ka ende potencial të pa shfrytëzuar i cili mund të vendoset në dispozicion, me qëllim përthithjen e fondeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të projekteve kërkimore e shkencore, për të ndërtuar një rrjet më të fortë ballkanik e europian.
 
Asociacioni i Universiteteve Ballkanike (BUA) është themeluar në vitin 2014 dhe përbëhet nga 92 universitete anëtare. Synimi kryesor është të përcaktojë një vizion udhëheqës për të ardhmen përmes universiteteve, bibliotekave, qendrave kërkimore etj.
UT është anëtarësuar në BUA në takimin që është zhvilluar në Tetovë, Maqedoni e Veriut në muajin mars të vitit 2018