Më 30 maj 2025, Universiteti i Tiranës kremton 68-vjetorin e themelimit, një ngjarje që shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë e arsimit të lartë në Shqipëri. Themeluar në vitin 1957, Universiteti i Tiranës është institucioni më i madh publik universitar në vend, dhe prej dekadash ka qenë qendra kryesore e formimit akademik, kërkimit shkencor dhe zhvillimit intelektual në Shqipëri.
Gjatë këtyre viteve, UT ka përgatitur mijëra studentë dhe profesionistë në fusha të ndryshme të dijes, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të vendit. Sot, më shumë se kurrë, Universiteti i Tiranës mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për të ofruar arsim cilësor, për të nxitur kërkimin shkencor dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Në këtë ditë të rëndësishme, falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e Universitetit, akademikë, studiues, studentë, dhe bashkëpunëtorë të shumtë ndër vite.
Urime 68-vjetorin, Universiteti i Tiranës!
Le të vazhdojmë së bashku rrugën e dijes, inovacionit dhe përparimit.