UNIVERSITETI I TIRANËS ANËTARSOHET NË ASOSACIONIN E UNIVERSITETEVE BALLKANIKE – UNIVERSITETI I TIRANËS

UNIVERSITETI I TIRANËS ANËTARSOHET NË ASOSACIONIN E UNIVERSITETEVE BALLKANIKE

Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni mori pjesë në Konferencën e IV shkencore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, e cila u organizua në Universitetin e Tetovës, Maqedoni në datat 30-31 Mars, 2018

Tema e kësaj konference ishte “Bashkëpunimi midis universiteteve dhe bashkëjetesa kulturore – një premisë për një platformë të qëndrueshme në të gjithë Ballkanin”. Në këtë këtë konferencë morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Z. Talat Xhaferri, Zv. Ministri për Arsimin dhe Shkencën në Maqedoni Z. Arbër Ademi, rektorë dhe studiues të shumtë shkencorë nga të gjitha Universitetet e Ballkanit.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së hapjes Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni e vuri theksin në peshën dhe përgjegjësinë që kanë universitetet ndaj shoqërisë.

“Si përfaqësues universitetesh ne mbartim mbi vete dhe një barrë të madhe të përgjegjësisë për atë se çfarë do t’u trashëgojmë ne brezave të ardhshëm në Ballkan. Universitetet nuk janë godinat, ku studiojnë studentët, Universitetet nuk janë thjesht disa laboratorë. Universitetet janë element thelbësor në të gjitha shoqëritë tona me ndikim në çdo aspekt të jetës,” theksoi Rektori i UT gjatë fjalës së tij.

Në anën tjetër, në përfundim të kësaj konference Universiteti i Tiranës u pranua si anëtar me të drejta të plota në Asosacionin e Universiteteve Ballkanike.