Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Studimeve të Huaja të Pekinit forcojnë bashkëpunimin akademik në kuadër të vizitës zyrtare në Kinë - UNIVERSITETI I TIRANËS

Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Studimeve të Huaja të Pekinit forcojnë bashkëpunimin akademik në kuadër të vizitës zyrtare në Kinë

Delegacioni i Universitetit të Tiranës, nën drejtimin e Rektorit Prof. Dr. Artan Hoxha, në vijim të vizitës së tij në Kinë, zhvilloi një takim zyrtar në Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit (BFSU). Gjatë takimit me sekretarin e BFSU-së, Wang Dinghua, u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, me fokus në gjuhën shqipe dhe mësimdhënien multidisiplinare. Palët shprehën gatishmërinë për të rritur shkëmbimet akademike dhe për të zgjeruar fushat e bashkëpunimit mes dy universiteteve, duke nxitur më tej miqësinë dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kinës.

Në takim morën pjesë dekane dhe profesorë nga Universiteti i Tiranës, drejtori i Institutit Konfuci pranë UT, si dhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Akli Fundo. Nga pala kineze ishin prezente znj. Jin Limin, drejtoreshë e Zyrës së Institutit Konfuci në BFSU, znj. Ke Jing, dekania e Shkollës së Gjuhëve dhe Kulturave Evropiane, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të universitetit.