Universiteti i Tiranës Forcon Bashkëpunimin Ndërkombëtar me Kinën: Marrëveshje për Klasën Inteligjente Kineze - UNIVERSITETI I TIRANËS

Universiteti i Tiranës Forcon Bashkëpunimin Ndërkombëtar me Kinën: Marrëveshje për Klasën Inteligjente Kineze

 

Më datë 11 qershor 2024, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, udhëhoqi një delegacion akademik në një vizitë zyrtare pranë Qendrës së Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Gjuhësor në Kinë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të shkëmbimeve gjuhësore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës.

Delegacioni u shoqërua në këtë vizitë edhe nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kinë, z. Riza Poda. Gjatë takimit, delegacioni u prit nga z. Hu Zhiping, zëvendësdrejtor i Qendrës së Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Gjuhësor, me të cilin u zhvilluan bisedime konstruktive rreth zhvillimit të mësimdhënies së gjuhës kineze në Shqipëri, rolit të Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës dhe mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë.

Të dyja palët shprehën vullnetin e ndërsjellë për të forcuar partneritetin ekzistues dhe për të ndërtuar një platformë më të gjerë dhe më funksionale të shkëmbimit kulturor dhe akademik për të rinjtë shqiptarë dhe kinezë. U theksua gjithashtu rëndësia e mbështetjes së ndërsjellë në projekte që promovojnë ndërkulturalizmin, mësimin e gjuhëve të huaja dhe krijimin e mundësive të reja arsimore.

Në përfundim të takimit, Universiteti i Tiranës dhe Qendra e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Gjuhësor nënshkruan marrëveshjen për “Bashkëpunim në Ndërtimin e Klasës Inteligjente Kineze” në ambientet e Institutit Konfuci pranë Universitetit të Tiranës. Kjo marrëveshje synon të modernizojë procesin e mësimdhënies së gjuhës kineze, përmes përdorimit të teknologjive të reja dhe burimeve didaktike të avancuara, si dhe të krijojë një mjedis më ndërveprues dhe inovativ për studentët shqiptarë.

Vizita përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve akademike mes Universitetit të Tiranës dhe institucioneve arsimore kineze, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët për zhvillimin e arsimit cilësor dhe shkëmbimeve ndërkombëtare.