Universiteti i Tiranës nderon Akademik. Prof. Dr. Sabri Hamitin me titullin “Doctor Honoris Causa”
Universiteti i Tiranës organizoi një ceremoni solemne ku i akordoi Akademik. Prof. Dr. Sabri Hamitit titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në fushën e letërsisë shqipe, studimeve albanologjike dhe kulturës kombëtare.
Në fjalën e hapjes, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, u shpreh se ky është “një nder i veçantë për Universitetin e Tiranës”, duke e cilësuar Profesor Hamitin si “një figurë të spikatur të kulturës shqiptare bashkëkohore, shkrimtar, poet, dramaturg dhe studiues që ka ndikuar në zhvillimin e mendimit letrar dhe afirmimin e identitetit kulturor shqiptar”.
Rektori Hoxha theksoi se Profesor Hamiti “është ura e gjallë që lidh traditën me modernitetin, Prishtinën me Tiranën dhe gjithë hapësirën shqiptare me botën e dijes universale”.
Në vijim, Rektori shtoi se ky vlerësim “është simbol i bashkimit akademik mes dy qendrave tona universitare, Tiranës dhe Prishtinës, të cilat ndajnë të njëjtat ideale për ndërtimin e një hapësire të përbashkët akademike shqiptare të hapur ndaj botës”.
Në fjalën e tij falënderuese, Akademik. Prof. Dr. Sabri Hamiti shprehu mirënjohjen e tij për këtë nderim, duke e cilësuar Universitetin e Tiranës si “kupolën e studimeve albanologjike dhe institucionin që trashëgon dijen akademike të krijuesve shqiptarë”.
Ai solli në vëmendje figurat themelore të kulturës shqiptare si Sami dhe Mit’hat Frashëri, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi, të cilët i quajti gurë themeli të traditës kulturore shqiptare dhe të dijes akademike.
Profesor Hamiti foli edhe për bashkëpunimin e gjatë mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, duke theksuar se “në dekadat e fundit është krijuar një brez i ri studiuesish e profesorësh në Tiranë, me shumë sukses në punën e tyre”.
