Universiteti i Tiranës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Eötvös Loránd në Hungari!
Me synimin për të forcuar ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, për të nxitur kërkimin shkencor dhe për të krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik, Universiteti i Tiranës ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MOU) me Universitetin Eötvös Loránd (ELTE), një nga universitetet më prestigjioze në Hungari.
Kjo marrëveshje synon të zhvillojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme si:
🔹 Shkëmbimi i studentëve, stafit akademik dhe administrativ
🔹 Zhvillimi i projekteve kërkimore të përbashkëta
🔹 Organizimi i shkollave verore dhe aktiviteteve trajnuese
🔹 Transferimi i studentëve dhe ndarja e materialeve shkencore e pedagogjike
Ky bashkëpunim do të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor në UT, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Universiteti Eötvös Loránd (ELTE), me seli në Budapest, është themeluar në vitin 1635 dhe është ndër universitetet më të vjetra dhe më të njohura në Evropën Qendrore. Me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore, ELTE renditet rregullisht ndër universitetet më të mira të rajonit dhe ofron një gamë të gjerë programesh studimi në nivelet bachelor, master dhe doktoraturë.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm në përpjekjet tona për të ndërtuar ura bashkëpunimi me universitete partnere në mbarë botën!