Universiteti i Tiranës mori pjesë në “Panairin mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor”, i cili u zhvillua në Prishtinë, Kosovë.
Në këtë panair UT prezantoi librin “The Evaluation of Air Quality in Albania by Moss Biomonitoring and Metals Atmospheric Deposition”, ku mori pjesë Prof. Dr. Pranvera Lazo, autore e librit dhe Prof. Dr. Elda Marku, shefe e Departamentit të Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Përmbledhja e librit:
Ndotja e ajrit nga metalet është ndër kërcënimet kryesore që paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut nëpërmjet ajrit që thithim, ose nëpërmjet rrugëve të ndryshme të ekspozimit. Ky libër është studimi i parë që ofron një pasqyrë të cilësisë së ajrit në Shqipëri të vlerësuar nëpërmjet biomonitorimit dhe depozitimi atmosferik i metaleve. Studimi bazohet në të dhënat e përqendrimit në 51 elementëve në mostrat e myshkut të mbledhura gjatë biomonitorimit 2010/2011, i kryer në të njëjtën kohë me atë Evropian. Elementet nën hetim u përcaktuan nga teknikat analitike ICP-AES, ENAA dhe CVAAS (vetëm Hg). Lloji i myshkut Hypnum cupressiforme (Hedw) u përdor si biomonitor i depozitimit atmosferik të metaleve gjurmë. H. cupressiforme (Hedw), një familje myshku që zhvillohet në formë qilimi është specia mbizotëruese në këtë studim.
Objektivi i këtij libri është të kontribuojë në identifikimin e burimeve të ndotjes dhe identifikimin e faktorëve që ndikojnë në nivelet e larta të metaleve gjurmë në ajrin e Shqipërisë. Ky studim mund të ndihmojë politikëbërësit të marrin vendimet e duhura për të mbrojtur shëndetin publik dhe mjedisin. Hartat e shpërndarjes së elementeve janë prodhuar duke përdorur sistemin e informacionit gjeografik, GIS 10.2, në kombinim me analizën hapësinore të secilit element.
Studimi tregon se cilësia e ajrit në Shqipëri është e krahasueshme me vendet fqinje. Për sa i përket nivelit të lartë të përqendrimit të Cr, Ni, V, Al, Fe dhe Hg, janë evidentuar problemet dhe janë paraqitur faktorët që ndikojnë. Emetimet nga metalurgjia e hekurit dhe kromit, industria e çimentos, rafineritë e naftës, industria minerare dhe transporti u dalluan si kontribuesit kryesorë lokalë të metaleve gjurmë në depozitimet atmosferike të Shqipërisë. Për më tepër, akumulimi i këtyre metaleve në myshqe, i shkaktuar nga pluhrat e dherave dhe grimcat e imta minerare, u vu në dukje si një mundësi tjetër e faktorëve lokalë të emetimit. U konstatua se burimet lokale të emetimit për elemntë të vecantë kishin një kontribut të lartë në ndotjen e ajrit.