Udhë të mbarë studentë të Universitetit të Tiranës - UNIVERSITETI I TIRANËS

Udhë të mbarë studentë të Universitetit të Tiranës

Udhë të mbarë studentë të Universitetit të Tiranës

 

Universiteti i Tiranës hapi auditoret për mbi 20,000 studentët e tij, nga të cilët 3381 ulen për herë të parë në këto auditore. Rektori i UT, Dekanët e fakulteteve dhe ministrja e arsimit, uruan studentët e UT dhe gjithë studentët shqiptarë, nga një takim me studentët e rinj të Fakultetit të Ekonomisë, që u mbajt në sallën “Liria” në Qytetin Studenti.

“Të gjithë ju që keni zgjedhur Universitetin e Tiranës ju siguroj se keni bërë zgjedhjen e duhur. Ne nuk jemi thjeshtë uiniversiteti më i madh, por universiteti më i mirë në vend dhe me diplomën më të suksesshme – deklaroi në fjalën e tij Rektori i UT, Prof. Dr. Artan Hoxha. 

Rektori Hoxha theksoi arritjet në procesin e ndërkombëtarizimit që ka shënuar UT. “UT ofron ndër të tjera edhe 16 programe studimi në gjuhën angleze në ciklin Bachelor dhe Master të miratuara nga MAS. Këtë vit për herë të parë, UT lëshoi diplomën në gjuhën angleze për studentët e ciklit bachelor që përfunduan studimet e tyre. Gjithashtu ofrohen edhe 4 programe të përbashkëta me universitete të tjera evropiane me diplomë të dyfishtë duke krijuar hapësira për studentët për zgjerimin e dijeve dhe mundësi më të mëdha për specializimin e tyre”- theksoi ai.

Prof. Dr. Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, ekspozoi standardet që ka sot ky fakultet, me një staf pedagogësh të kualifikuar me tituj e grada shkencore, si dhe aktiv në fushën e kërkimit shkencor. Kjo është një garanci – tha Pro.Kule- për të tërhequr në këtë fushë edhe studentet e këtij fakulteti që do të jenë të pasionuar pas studimit dhe kërkimit shkencor.

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ndërsa vlerësoi Universitetin e Tiranës, foli për një Dokument Strategjik për Arsimin e Lartë, mbi të cilin do të mbështeten politikat orientuese për arsimin e lartë shqiptar në vijim, të cilat duhet të jenë politika afatgjata. Ajo theksoi nevojën e profilizimit të universiteteve shqiptare, duke i’u referuar kërkesave të kohës dhe tregut të punës, për të përgatitur profesionistë në fushat ku ka më shumë nevojë ekonomia kombëtare dhe shoqëria. 

Gjithashtu, ministrja theksoi ndërkombëtarizimin si një shtyllë e rëndësishme për të rritur standardet e arsimit të lartë edhe në nivel ndërkombëtar.

“Hapja apo tkurrja e programeve ekzistuese në universitete – tha ministrja Manastirliu, duhet të bëhen mbi bazën e studimeve të thelluara, parashikimeve afatgjata dhe jo si zgjedhje të detyruara të momentit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me bursa studentët ekselentë dhe programet prioritare që ka përcaktuar qeveria, por gjithashtu do ti orientojmë të rinjtë drejt profileve ku ka më shumë nevojë tregu dhe që diktojnë realitetet e reja të zhvillimit ekonomik e social”.