Historiku i UT-ës
UNIVERSITETI I TIRANËS
Zanafilla institucionale
Universiteti i Tiranës e ka zanafillën në vitin 1946, me krijimin e Institutit Pedagogjik Dyvjeçar në Tiranë, institucioni i parë i arsimit të lartë të organizuar në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Themelimi i këtij institucioni përbën pikënisjen historike dhe institucionale të Universitetit të Tiranës, duke shënuar fillimin e organizimit sistematik të arsimit të lartë universitar në vend.
Instituti Pedagogjik Dyvjeçar u krijua për t'iu përgjigjur nevojave urgjente të shtetit shqiptar për përgatitjen e mësuesve dhe kuadrove akademike të kualifikuara, në një periudhë vendimtare të rindërtimit shoqëror, kulturor dhe institucional pas luftës. Ai krijoi bërthamën e parë akademike, pedagogjike dhe organizative mbi të cilën u ndërtua më pas Universiteti i Tiranës.
Hapja zyrtare e Institutit Pedagogjik Dyvjeçar u bë me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 135, datë 22.11.1946, akti që sanksionoi juridikisht fillimin e arsimit të lartë universitar në Shqipëri dhe që përbën fillesën institucionale të Universitetit të Tiranës. Gjatë periudhës 1946–1956, në Tiranë u krijuan dhe funksionuan disa institute të tjera të larta të specializuara në fusha të ndryshme të dijes si Instituti Pedagogjik; Instituti i Shkencave; Instituti Politeknik; Instituti Mjekësor; Instituti Bujqësor; Instituti Ekonomik; Instituti Juridik. Të gjitha këto institute së bashku hodhën themelet e organizimit jo vetëm të arsimit të lartë në Shqipëri por edhe të Universitetit të Tiranës, duke konsoliduar bazën akademike dhe institucionale mbi të cilën u ndërtua sistemi universitar kombëtar.
Themelimi i Universitetit Shtetëror të Tiranës
Më 30 maj 1957, me Vendimin nr. 207, Këshilli i Ministrave themeloi Universitetin Shtetëror të Tiranës. Më 3 qershor 1957, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori Dekretin nr. 2476, duke formalizuar krijimin e universitetit si institucioni i parë universitar i unifikuar në vend.
Këshilli i Ministrave përcaktoi strukturën organizative të universitetit dhe rregulloi bashkimin e instituteve ekzistuese, duke garantuar integrimin e programeve akademike, koordinimin e veprimtarisë mësimore dhe shkencore, si edhe funksionimin e qëndrueshëm të institucionit.
Struktura fillestare e Universitetit Shtetëror të Tiranës përfshinte gjashtë fakultete:
- Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë;
- Fakultetin e Shkencave të Natyrës;
- Fakultetin e Ekonomisë;
- Fakultetin e Mjekësisë;
- Fakultetin e Juridikut;
- Fakultetin e Inxhinierisë.
Rektori i parë i universitetit ishte Prof. Zija Këlliçi.
Universiteti i Tiranës hapi dyert për studentët e tij më 16 shtator 1957.
Periudha e konsolidimit
Gjatë periudhës 1957–1990, Universiteti i Tiranës hyri në një fazë konsolidimi institucional dhe funksional, duke u afirmuar si institucioni qendror i arsimit të lartë dhe i zhvillimit të kërkimit shkencor në Shqipëri.
Ky proces u shoqërua me zgjerimin gradual të kampusit universitar dhe të infrastrukturës akademike, si edhe me institucionalizimin e strukturave mësimore dhe kërkimore. Në këtë periudhë u krijuan njësi të reja akademike dhe u zgjerua oferta e programeve të studimit, veçanërisht në fushat e shkencave natyrore, shoqërore dhe humane, në përputhje me prioritetet zhvillimore të vendit.
Paralelisht, u intensifikua veprimtaria kërkimore-shkencore dhe u konsolidua roli i Universitetit të Tiranës në formimin e kuadrove të kualifikuara për administratën publike, arsimin, ekonominë, inxhinierinë dhe sektorë të tjerë strategjikë. Procesi mësimor u karakterizua nga ndërthurja e formimit teorik me përgatitjen praktike, duke e forcuar rolin e universitetit si një institucion kyç në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Në këtë periudhë, Universiteti i Tiranës u shndërrua në qendrën kryesore të arsimit të lartë dhe të formimit të elitës akademike, shkencore dhe profesionale të Shqipërisë.
Transformimet pas vitit 1991
Pas ndryshimeve politike dhe shoqërore të fillimit të viteve 1990, Universiteti i Tiranës hyri në një fazë reformash të thella institucionale dhe akademike. U zgjerua autonomia universitare, programet e studimit u përshtatën gradualisht me standardet ndërkombëtare dhe u intensifikua bashkëpunimi me universitete dhe institucione kërkimore jashtë vendit.
Më 15 korrik 1991, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 215, fakultetet e Inxhinierisë u shkëputën nga Universiteti i Tiranës, duke krijuar Universitetin Politeknik të Tiranës.
Më 23 janar 2013, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 48, Fakulteti i Mjekësisë dhe njësitë përkatëse u shkëputën nga Universiteti i Tiranës, duke krijuar Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.
Universiteti i Tiranës sot
Sot, Universiteti i Tiranës është institucioni më i madh dhe më përfaqësues i arsimit të lartë publik në Shqipëri. Me një traditë akademike që i afrohet tetë dekadave, ai ndërthur trashëgiminë institucionale me kërkesat e arsimit të lartë bashkëkohor, duke u orientuar drejt standardeve evropiane të cilësisë, zhvillimit të kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.
Universiteti i Tiranës funksionon si një institucion publik i konsoliduar, i organizuar në 6 fakultete, 2 institute kërkimore dhe 1 filial universitar, duke ruajtur rolin e tij udhëheqës në zhvillimin akademik, shkencor dhe shoqëror të Shqipërisë.
©2025 UNITIR | Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Uni Education by Shark Themes
