Në datën 29 Tetor 2013, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, u zhvillua “Ceremonia e hapjes së Qendrës së Karrierës në FSHN-UT”. Hapja e Zyrës së Karrierës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në bashkëpunim me partnerët tanë të hershëm, si Ambasada Franceze dhe Agjencia Universitare e Farankofonisë, shënon arritjen e një niveli tjetër bashkëpunimi midis institucioneve tona, si dhe ofrimin e shërbimeve dhe mundësive të reja për studentët e Universitetit të Tiranës nga kjo qendër. Zyra e Karrierës në FSHN do të jetë porta kryesore e bashkëpunimit me institucione të ndryshme franceze dhe do të shërbejë për të koordinuar këtë informacion dhe me qendrat e tjera të karrierës në Fakultetin e Ekonomisë dhe Drejtësisë, në mënyrë që gjithë studentët e Universitetit të Tiranës të jenë më pranë mundësive të studimit, eksperiencave të reja si dhe njohjes me kulturën franceze.
Përmes ngritjes së Zyrave të Karrierës, Universiteti i Tiranës synon të ndihmojë studentët dhe aktorët e tjerë të zhvillojnë potencialin e tyre për të qenë të suksesshëm në tregun e punës. Përmes shërbimeve të këshillimit të karrierës, mundësive të bursave, internshipe-ve të ndryshme, organizimit të aktiviteteve të karakterit akademik si dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme, synimi ynë është të krijojmë lidhjen midis studentëve, institucioneve publike dhe sektorit privat.
Në këtë ceremoni morën pjesë Ministër i Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Dhori Kule, Ambasadorja Franceze, Sh. S. Znj. Christine Moro, Znj. Mihaela Babut, Shefe e projektit për Zyrat e Karrierës pranë Agjencisë Universitare të Farankofonisë, drejtues të lartë të strukturave të UT, si dhe ekspertë francezë që kanë asistuar me konsultime dhe trajnime për mirëfunksionimin e qendrave të karrierës pranë Universitetit të Tiranës.