Dekretohen rektorët e universiteteve shqiptare!
Ditën e djeshme Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj dekretoi të gjithë rektorët e universiteteve në vend, që dolën nga zgjedhjet e muajit qershor.
Mes tyre edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha që do ta drejtojë Universitetin e Tiranës edhe për një mandat të dytë.
Gjatë fjalës së tij përballë gjithë rektorëve të zgjedhur, Presidenti Begaj citoi se “Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin.”
Profesor Hoxha përmes një postimi në rrjetin e tij social facebook shprehet se: “Zotimi për arsim cilësor e në shërbim të shoqërisë, është motiv i fortë për angazhimin maksimal të të gjitha strukturave tona universitare. Sfidat e vështira por të kaluara me sukses në 4 vitet që lamë pas, na kanë rritur besimin se me punë e frymë të shëndetshme bashkëpunimi, mund të shkojmë shumë larg.”