Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, mbajtin takimin e parë në Fakultetin e Ekonomisë në kuadër të emërimit të Dekanit të këtij fakulteti, Prof. Dr. Dhori Kule.
Gjatë këtij takimi Prof. Dr. Mynyr Koni falenderoi stafin e këtij fakulteti për kontributin që ata kanë dhënë gjatë këtij procesi zgjedhor duke u shprehur se bashkëpunimi midis këtij fakulteti si edhe universitetit do të jetë shumë i fuqishëm për të arritur objektivat e Universitetit të Tiranës.
Prof.Dr. Koni falenderoi Prof.Dr. Dhori Kulen për punën e realizuar në këto 8 vite si Rektor i Universitetit të Tiranës duke rritur në mënyrë të fuqishme cilësinë e mësimdhënies në këtë universitet. Prof. Koni shprehet se “Në detyrën e re që Fakulteti i Ekonomisë i ka besuar Prof. Dr. Dhori Kules, si dekan i këtij fakulteti, ai do të jap të njëjtin kontribut që ka dhënë edhe në drejtimin e Universitetit të Tiranës”.
Prof.Dr. Koni shprehu mirënjohje edhe për Prof. Dr. Sulo Haderin në cilësinë e ish-Dekanit të këtij fakulteti për periudhën kohore 2012-2016, duke e çuar këtë fakultet në rrugën e duhur. Prof. Koni i uroi suksese edhe drejtuesve të rinj të departamenteve në Fakultetin e Ekonomisë.
Prof. Dr. Dhori Kule në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “Fakulteti i Ekonomisë do të jap kontributin e tij si edhe do të përballoj sfidat e procesit të rritjes në bashkëpunim me stafin dhe studentët e këtij fakulteti”.
Prof. Dr. Dhori Kule falenderoi të gjithë drejtuesit për kontributin që kanë dhënë gjatë këtyre viteve dhe shprehu besimin se edhe me drejtuesit e rinj të zgjedhur, ky fakultet ka për të vazhduar me të njëjtin ritëm.