Në ambjentet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Rektori i UT Prof. Dr. Mynyr Koni emëroi dekanen e re të zgjedhur nga procesi zgjedhor, Prof. Dr. Valentina Duka. Rektori falenderoi dekanen e re, si edhe kandidaten tjetër në garë për pjekurinë, qytetarinë dhe devotshmërinë e shfaqur gjatë procesit zgjedhor në UT, gjë e cila tregoi se Universiteti i Tiranës di të organizojë zgjedhjet në mënyrën më të mirë.
Gjithashtu, Prof. Dr. Mynyr Koni falenderoi ish-dekanin e këtij fakulteti, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, zv/dekanët si edhe drejtuesit e departamenteve për drejtimin dhe punën e tij gjatë këtyre katër viteve.
Rektori i uroi suksese në detyrën e re dekanes dhe shefave të zgjedhur të departamenteve duke shprehur se do të bashkëpunojnë së bashku për sfidat që do të përballet në vazhdim Universiteti i Tiranës.
Dekania e emëruar e FHF, Prof. Dr. Valentina Duka, u shpreh se do të jetë e përkushtuar për të vendosur të gjitha aftësitë e saj intelektuale, profesionale, akademike dhe manaxheriale në drejtimin me sukses të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Ajo falenderoi ish-dekanin, dhe ish drejtuesit e departamenteve për punën e tyre në zhvillimin e fakultetit. Gjithashtu dekania i uroi suksese shefave të rinj të zgjedhur duke i ftuar ata të punojnë së bashku për prosperitetin e institucionit që përfaqësojnë.