Dy universitetet më të mëdha shqiptare, Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik i Tiranës, janë tashmë zyrtarisht si ‘COOPERATING INSTITUTES’ në eksperimentin CMS(Compact on Solenoid), të CERN-it (Qendra Europiane e Kërkimeve Bërthamore, Gjenevë, Zvicër). Në këtë eksperiment punojnë rreth 5 mijë kërkues shkencor nga e gjithë bota. Tashmë edhe grupi shqiptar, i përbëre prej 7 fizikantësh, do të jetë pjesë e këtij organizmi shkencor. Marrëveshja u nënshkrua në 5 Mars, në Gjenevë, mes drejtuesve të eksperimentit CMS, si dhe palës shqiptare, përfaqësuar nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Andrea Maliqari.
Si palë mbështetëse e ekipit shqiptar të fizikantëve në këtë sipërmarrje shkencore, ishin edhe drejtuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Martin Mata dhe Z. Aleksandër Sarapuli.
Me këtë marrëveshje, pjesë e eksperimentit më të madh në planet, në fushën e Fizikës, është tashmë zyrtarisht edhe një grup fizikantësh shqiptarë. Ky grup përbëhet nga Prof. As. Dr. Rudina Osmanaj, Prof. As. Dr. Klaudio Peqini dhe Prof. As. Dr. Olta Çakaj (Universiteti i Tiranës- Fakulteti i Shkencave të Natyrës); nga Prof. As. Dr. Altin Gjevori, Prof. As. Dr. Dafina Hyka dhe Dr. Enkelejd Çaça (Universiteti Politeknik i Tiranës) dhe Dr. Ilirjan Margjeka, si personi i kontaktit të ekperimentit CMS për Shqipërinë.
Pjesëmarrja e fizikantëve shqiptarë në këtë eksperiment vlerësohet si shumë e rëndësishme.
Ajo ka rëndësi shkencore për vendin tonë, sepse shkencëtarët tanë kanë mundësi me të drejtë të plotë të kenë akses te të dhënat eksperimentale reale duke publikuar rezultatet tona shkencore edhe në revista shkencore me famë botërore.
Pjesëmarrje në një organizatë të tillë është vendimtare në ndërtimin e lidhjeve ndërkombëtare të kolegëve tanë shqiptarë me kolegë të tyre nga universitete me famë në botë si Princeton Univesity, Harvard University, Oxford University, MIT, Cambridge University, ETH Zurich etj, duke ndarë ide dhe duke publikuar së bashku në fusha të ndyshme të Fizikës, IT, inteligjenca artificiale dhe po ashtu mbi teknologji të ndryshme dhe me vlerë industriale.