Leksion i Hapur me Profesor Hoetzel Heckart - UNIVERSITETI I TIRANËS

Leksion i Hapur me Profesor Hoetzel Heckart

 

Departamenti i Gjuhës Frënge, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në bashkëpunim dhe me departamentet e tjera të FGJH-së, si dhe me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Tiranë, organizuan në datat 24 dhe 25 shkurt një seminar trajnimi me Drejtorin e Institutit të Përkthyesve, Interpretëve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Strasburgut Prof. Hoetzel Heckart.

Në datën 24 Prof. Heckart mbajti edhe një takim me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule në prani të Dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Prof.Dr. Klodeta Dibra, të Përgjegjëses së Departamentit Prof.as.Dr. Esmeralda Kromidha dhe Atasheut të Ambasadës Franceze në Tiranë, z. Alain Beaussier.

Qëllimi i seminarit ishte përgatitja dhe përshtatja e programit të studimit të vitit të parë të Ciklit të dytë “Master i Shkencave” në “Përkthim teknik-letrar dhe Interpretim” me Programin përkatës të Universitetit të Strasburgut. Studentët, pas përfundimit me sukses të vitit të parë të këtij programi, do të pajisen me diplomë të delokalizuar të Universitetit të Strasburgut. Kjo u lejon studentëve mundësinë e vazhdimit të studimeve Master në Strasburg apo dhe në universitete të tjera evropiane.

Bashkëpunimi me këtë institut prestigjioz synon përgatitjen sa më të mirë të specialistëve të ardhshëm të përkthimit për tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.