Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi ditën e mërkurë datë 14.12.2016 nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Marrëveshje ka për qëllim bashkëpunimin e ndërsjelltë midis UT-së dhe KDIMDP në këto fusha:
uzbatimin e standardeve më të larta në respektimin dhe ruajtjen e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe në respektimin e të drejtës për informim për dokumentat zyrtare;
uzbatimin e procedurave më të mira për shkëmbimin e ndërsjelltë të informacionit;
uforcimin e kulturës në institucionet e arsimit të lartë për dije të thelluara në fushat e të drejtës për informim dhe atë të privatësisë.
Dokumenti angazhon palët në shfrytëzimin e të gjitha mundësive për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve në ushtrimin e të drejtave të tyre. Gjithashtu, kjo marrëveshje synon që përmes mekanizmave institucionalë të adresojë nevojën e përmirësimeve në legjislacion në fushat e privatësisë dhe të drejtës për informim.
Rektori Koni, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, tha se Universiteti i Tiranës ka pasur bashkëpunim më parë me këtë institucion, por veçantia e kësaj marrëveshjeje ka të bejë me themelimin e Shkollës Dimërore i cili do të jetë i përvitshëm dhe do të marrin pjesë profesorë, studentë, pedagogë dhe ekspertë të administratës së UT-së. Profesor Koni gjithashtu theksoi se kjo marrëveshje ndihmon në mirëfunksionimin e Universitetit të Tiranës, për të qënë sa më transparentë në punën tonë mësimore dhe kërkimore shkencore.
Z. Dervishi në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes tha se “Zbatimi i standardeve më të larta për mbrojtjen e privatësisë, kombinuar me praktikat më bashkëkohore të të drejtës për informim, janë elementë të rëndësishëm të konsolidimit të demokracisë sonë. Rritja e transparencës është pjesë e pandarë e reformave që janë ndërmarrë dhe që synojnë modernizimin e institucioneve publike shqiptare. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi ne kontribuojmë në edukimin shoqëror për respektimin e këtyre të drejtave”. Komisioneri, njëkohësisht, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Autoritetit dhe Universitetit të Tiranës.