Me hidhërim të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të Profesor Artan Boriçi, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.
Prof. Artan Boriçi punoi gati 25 vjet si pedagog në Departamentin e Fizikës të këtij fakulteti. Në vitin 1996 ai mori gradën Doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, prej 2010 mbante titullin “Profesor Doktor” dhe në vitin 2020 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Prof. Boriçi është i njohur në botën shkencore me teorinë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”. Gjithashtu, Prof. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.
Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit duke përfaqësuar denjësisht mendimin shkencor shqiptar dhe dhënie kontribute të vyera në këto fusha.
Shprehim ngushullimet e sinqerta familjarëve, miqëve dhe kolegëve të tij për këtë humbje të madhe.
U prehsh në paqe, Profesor Artani!
Rektori
Prof. Dr. Artan Hoxha