Universiteti i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), me qëllim identifikimin, nxitjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët, për të dyja palët, në fushën e gjeoinformacionit.
Marrëveshja e përcjellë për miratim ka si qëllim të institucionalizojë marrëdhënien e bashkëpunimit midis UT dhe ASIG në lidhje me rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përgatitjes së specialistëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit në vend, kryerjen e ekspertizave kërkimore dhe integrimin e mësimdhënies me kërkimin shkencor si dhe përdorimin e teknologjisë në fushën e gjeoinformacionit.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në prani të Departamentit të Gjeografise, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, nga Rektori i UT, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Drejtori i Përgjithshëm i ASIG, Znj. Vilma Tomço.
ASIG është institucion publik i krijuar në vitin 2012 për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë, ku misioni i të cilit është krijimi i infrastrukturës gjeohapësiore të Shqipërisë sipas standardeve evropiane.