Në vazhdën e bashkëpunimeve me Institucione të Arsimit të Lartë dhe promovimit të gjuhës shqipe, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr. Dhori Kule së bashku me një delegacion nga Shqipëria të përbërë nga dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Shezai Rokaj, ai i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Mynyr Koni dhe dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Sulo Hadëri, më datë 24 shkurt 2014, morën pjesë në një takim të zhvilluar në Selanik, mbi çeljen e kurseve të gjuhës shqipe në Universitetin Publik ‘‘Aristotelis’’ të Selanikut. Tashmë në këtë universitet do të hapen kurse të gjuhës shqipe për të gjithë studentët grekë apo të nacionaliteteve të ndryshme. Për këtë qëllim një lektore nga Universiteti i Tiranës do të asistojë në mësimdhënien e këtyre kurseve. Kjo marrëveshje do të ketë një impakt domethënës mbi përhapjen e gjuhës shqipe por edhe në forcimin e lidhjeve të studentëve me orgjinë shqiptare me vendin e tyre të orgjinës. Në këtë takim u ra dakord edhe për zhvillimin e një simpoziumi shkencor, referuar kryesisht tri temave specifike si: Ekonomi, Civilizim dhe Edukim, që do të organizohet më datë 28 prill 2014, mes dy institucioneve në Selanik.
Negocaiatat dhe përpjekjet e Universitetit të Tiranës për promovimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe do të vazhdojnë më tej për mundësinë e përfshirjes së kësaj lënde edhe në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të Selanikut.