Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, priti në një takim Ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Shkëlqesinë e Saj, znj. KATO Kikuko, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit akademik mes Universitetit të Tiranës dhe institucioneve të arsimit të lartë japoneze.
Gjatë takimit, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Ambasadën e Japonisë dhe u theksua rëndësia e zgjerimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Ambasada e Japonisë shprehu mbështetjen e saj për vendosjen e urave të reja të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Një nga pikat kyçe ishte promovimi i bursave japoneze dhe programit prestigjioz MIRAI, që ofron mundësi unike për studentët dhe të rinjtë shqiptarë.
Në këtë takim morën pjesë edhe Zv. Rektorja e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Anila Paparisto, Drejtoresha e Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Dr. Erida Elmazi si edhe z. TSUBOI Kohei, përgjegjës i sektorit të kulturës dhe shtypit në Ambasadën e Japonisë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe fuqizimit të lidhjeve mes dy vendeve në fushën e arsimit dhe shkencës.