UT hap Programin e Formimit Pedagogjik-Psikologjik për lektorët e rinj.
Universiteti i Tiranës ka hapur për herë të parë Programin e Formimit Pedagogjik-Psikologjik për lektorët e rinj të tij. Ky program do të ofrojë trajnimin e mësimdhënësve të rinj në UT, për tu aftësuar në fushën pedagogjike dhe psikologjike. Në programin e parë marrin pjesë 33 lektorë të rinj dhe trajnimi do të zgjasë 12 javë. Për katër javët e para, trajnues i lektorëve të rinj do të jetë Prof. Dr.Laura Baecher, Hunter College, City University of New York, e mbështetur nga Ambasada Amerikane.
Në vazhdim, ky program do të jetë i hapur edhe për personelin akademik të interesuar, nga institucione të tjera të arsimit të lartë në vend.
Në ceremoninë e përurimit të programit, në 20 mars 2023, rektori i UT, Prof. Dr. Artan Hoxha theksoi se ideja që merr jetë sot, ka qenë e vjetër, që në vitet ’80 të shekullit të kaluar, nga profesorët e pedagogjisë në Universitetin e Tiranës. Ky zhvillim i Universitetit të Tiranës – tha Prof. Hoxha – vjen në përputhje të plotë me politikën e Bashkimit Europian, sipas të cilës “Çdo institucion duhet të zhvillojë dhe zbatojë një strategji për mbështetjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së mësimdhëniës dhe të të nxënit, duke ofruar nivelin e nevojshëm të burimeve njerëzore, dhe integrimin e këtij prioriteti në misionin e tij të përgjithshëm, duke mundësuar që i gjithë personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë të zotërojë certifikatën e trajnimit pedagogjik”.