Fakulteti i Historise dhe i Filologjisë është krijuar në vitin 1951, si pjesë e Insitutit të Larte Pedagogjik, që ka qene institucioni i parë në Shqipëri për përgatitjen e mësuesve me arsim të lartë per shkencat shoqerore dhe natyrore. Me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1957, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë u bë një nga shtatë fakultetet e tij. Fillimisht, ai përbëhej nga degët e historisë, gjuhë – letërsisë, më vonë këtu u shtua dhe dega e gazetarisë dhe i gjuhës ruse. Që ateherë, ai ka pësuar zgjerime dhe riorganizime të shumta. Kështu, në vitin akademik 1960-1961 iu shtua dega e gjuhës angleze dhe më 1966 ajo e gjuhës frënge.
Më 1972 degët e gjuhëve të huaja u shkëputën nga ky fakultet, për të formuar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndërsa dy vjet me vonë të dy fakultetet u bashkuan në një të vetëm, për t’u rindarë sërish më 1992. Pranë këtij fakulteti ka ekzistuar edhe depatamenti i pavarur ndërdisiplinar i psikologjisë dhe i pedagogjisë, i cili u bë bazë e mëvonshme e Fakultetit të Shkencave Sociale.
Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë kanë dhënë mësim personalitetet dhe shkencetarët më të njohur shqiptarë në fushen e shkencave albanologjike: si E. Çabej, A. Buda, M. Domi, Sh. Demiraj, S. Luarasi, N. Bulka, V. Kokona, I . Kadare, Z. Sako, Q, Haxhihasani, S. Prifti, A. Kostallari, J. Xoxa etj. Profesorati i këtij fakulteti ka dhënë një ndihmesë të dukshme edhe per ngritjen dhe funksionimin e fakulteteve të Universiteteve të tjera të Shqipërisë, duke përfshirë dhe Universitetin e Prishtines.
Duke filluar nga viti shkollor 1969-1970, pranë degëve gjuhë shqipe – letërsi dhe histori janë krijuar herë pas here, në varësi nga nevojat, edhe profile të veçanta për gjuhë të tjera të huaja, si për gjuhën latine, greke e vjetër, italiane, bullgare, rumune, sërbo-kroate, çeke, poloneze, hungareze, gjermane e spanjolle.
Nisur nga nevojat e një pergatitjeje me të plote të mesuesve dhe të specialisteve, edhe struktura dhe profili i degeve ka ardhur duke u ndryshuar. Kështu, në vitin 1982 u arrit ndarja e deges histori-gjeografi në dy degë të veçanta: Histori me elemente të gjeografise dhe Gjeografi me elemente të historisë. Rezultatet pozitive të kësaj ndarjeje të pjesshme, ngritja e nivelit të kualifikimit të profesoratit dhe, sidomos mundësitë e krijuara pas vitit 1990, e bëne të domosdoshëm thellimin e mëtejshëm të specializimit të këtyre degëve.
Kualifikimi pasuniversitar ka nisur qysh në vitin 1981, kur pranë këtij fakulteti u hapën disa kurse pasuniversitare njëvjeçare: fillimisht ai i psikologjisë dhe i pedagogjisë, një vit më vonë kursi i gjuhës shqipe, në vitin 1984 kursi i historisë, me 1985 kursi i kritikës letrare dhe me 1987 kursi pasuniversitar i psikologjisë dhe i pedagogjisë, pa shkeputje nga puna. Në vitin 1991 këto kurse u mbyllen, per t’u hapur përsëri më 1996, kësaj here si shkolla pasuniversitare (fillimisht me korrespondencë), dmth. si shkallë e pare e nje sistemi të plotë dyshkallësh të kualifikimit pasuniversitar, që u ndërtua sipas departamenteve përkatëse: Shkolla Pasuniversitare e Departamentit të Gjuhësisë, shkolla pasuniversitare e Departamentit të Letërsisë, Shkolla Pasuniversitare e Departamentit të Historisë, shkolla pasuniversitare e Departamentit të Gjeografisë.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ka qenë dhe është një ndër institucionet e rëndësishme shkencore të AL te vendit, me një veprimtari të gjerë, ku përfshihet organizimi i konferencave shkencore dhe pjesëmarrja në tubime shkencore kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, botimet e monografive, punimeve shkencore e të teksteve mësimore per shkollën e lartë, të mesme dhe 8-vjeçare (sot 9-vjeçare). Njëherazi, ai mbetet institucioni më i rëndësishëm i vendit për përgatitjen dhe kualifikimin e studiuesve.
Sipas profileve përkatëse të shkencave albanologjike, këtu njihet e drejta e mbrojtjes së tezave të doktoratës prej kandidatësh vendas e të huaj.
Edhe përmbajtja e proçesit mësimor ka pësuar ndryshime të shumta, në përputhje me shkallën e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, me nevojat e saj dhe me kërkesat e shtruara para shkollës së lartë. Kështu, në fiilim të gjitha degët kishin si detyrë kryesore përgatitjen e mësuesve per shkollën e mesme, megjithëse, në të vërtetë, mesuesit e diplomuar prej këtij Fakulteti kanë punuar edhe në ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare. Krahas kësaj, këto degë kanë siguruar edhe kontigjentin per institucionet kërkimore-shkencore dhe per institucionet e tjera kulturore të vendit, si ATSH-ja, Radioja e Televizioni, insitutet e Akademise së Shkencave dhe me vone universitetet në rrethe, shtëpitë botuese etj, për të plotësuar kërkesat e këtyre institucioneve per kuadro.
Këto specializime e profilizime janë shoqëruar edhe me një punë të madhe për hartimin e planeve të reja mësimore, të programeve të lëndeve të shumta që janë shtuar në këto plane, si dhe për rishikimin e programeve të lendëve ekzistuese, me qëllim që në to të pasqyrohen arritjet e shkencës botërore. Nga ana tjeter, për vetë profilin që ka ky fakultet, pas viteve ’90 u bë një riorganizim i përgjithshëm i programeve, të cilat kishin qene tejet të politizuara. Ato u reformuan totalisht si në formë dhe në përmbajtje.
Një ndihmesë të çmuar ka dhënë Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë për përgatitjen e studenteve të huaj si përkthyes, gjuhëtare, historianë, studiues të letërsisë shqiptare etj. Veçanërisht e madhe ka qenë puna e bërë nga dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, pranë së cilës kanë studiuar dhe janë diplomuar 282 studentë të huaj, nga 25 vende të ndryshme të botës, kryesisht nga vendet i sh-socialiste, nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Veç këtyre, pranë katedrës së gjuhës shqipe kanë ndjekur kurse përgatitore njëvjeçare të gjuhës mjaft studentë nga vende të ndryshme. Kjo traditë vijoi deri në vitin 1982, kur, si rrjedhim i politikës së vetizolimit të ndjekur nga qeveria e kohës, këto kurse u mbyllën, Tani po bëhen përpjekje të shumta per ta ringjallur këtë traditë të bukur. Kështu, nga viti 1991 e këndej pranë Departamentit të Gjuhësisë kanë ardhur, kryesisht në kuadrin e konventave kulturore, specializantë dhe studentë të huaj, një pjesë e të cilëve, pas përfundimit të kursit përgatitor njëvjeçar, po studiojnë për gjuhë shqipe dhe letërsi, ose mbrojnë teza dhe diploma të ndryshme të albanologjisë. Pranë këtij departamenti kanë kryer kualifikime pasuniversitare docentë kineze, docentë rumunë, grekë, zvicerianë etj e pritet të vijnë dhe të tjerë.
Prej vitit shkollor 1994-1995 kanë rifilluar të funksionojnë edhe kurset e verës të gjuhës dhe të kulturës shqiptare, në të cilat marrin pjesë studentë nga vende të ndryshme të botës.
Në vitin 2012 është krijuar në këtë fakultet Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore.
Organizimi
Departamentet
-
Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore
-
Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit
-
Departamenti i Gjeografisë
-
Departamenti i Gjuhësisë
-
Departamenti i Historisë
-
Departamenti i Letërsisë
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ofron programe në tre ciklet e studimit, Bachelor, Master i shkencave, dhe Doktoraturë.
Drejtuesit e Njësisë Kryesore dhe Bazë të Fakultetit të Historisë dhe i Filologjisë (FHF)
-
Prof. Dr. Mark MARKU, Dekan.
-
Prof.Dr. Romeo HANXHARI, Zëvendësdekan
-
Prof.Dr. Shezai RROKAJ, Zëvendësdekan
-
Prof.Asoc.Dr. Edlira MACAJ, Zëvendësdekan
-
Prof. Dr. Persida ASLLANI, Departamenti i Letërsisë
-
Prof. Dr. Dhimitri BELLO, Departamenti i Gjuhësisë
-
Prof. Dr. Valentina DUKA, Departamenti i Historisë
-
Prof. Dr. Sonila SINJARI, Departamenti i Gjeografisë
-
Prof. Asoc.Dr. Iris LUARASI, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit
-
Prof. Dr. Iris POJANI, Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore
Arkiva: Drejtues FHF (2020-2024 Gusht)
Organika e personelit akademik me kohë të plotë në FHF(Kliko këtu)
Struktura Organizative e Fakultetit të Historisë dhe i Filologjisë (Kliko këtu)
Kontakt (Kliko këtu)
Adresa: Rruga e Elbasanit, Tiranë,
Email: fhf@fhf.edu.al
WEB: https://www.fhf.edu.al/
Tel: (+355 4) 2369987