Fakulteti i Shkencave të Natyrës – UNIVERSITETI I TIRANËS

Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN) është njësi kryesore e Universitetit të Tiranës që në krijimin e tij në vitin 1957. Ai u krijua mbi trashëgiminë e Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës, 4 vjeçar (1951-1957), i cili ishte institucioni i parë në Shqipëri për përgatitjen e mësuesve me arsim të lartë, si edhe mbi organizimin e disa katedrave e sektorëve të Institutit të Shkencave dhe atij Politeknik.

FSHN që në krijimin e vet dhe deri tani është qendra kryesore në Shqipëri për përgatitjen e specialistëve të lartë në Matematikë, Fizikë, Kimi, Kimi Industriale, Biologji, Bioteknologji e Informatikë si edhe një nga institucionet më të rëndësishme të vendit për përgatitjen e mësuesve për shkollat e mesme.

FSHN filloi aktivitetin e vet me 6 katedra: ajo e Matematikës, Fizikës, Biologjisë, Kimisë së Përgjithshme, të cilat drejtonin studimet për 4 diploma, Matematikë, Fizikë, Biologji – Kimi dhe Kimi Industriale.

Në vitet 1960 u shtuan edhe 2 profile të reja: Matematikë Speciale dhe Fizikë Speciale, kurse 5-vjeçare që së bashku me profilin Biologji Speciale në 1984 u bënë shkolla ku u përgatitën figurat më të spikatura të shkencës dhe arsimit në fushën e shkencave të natyrës.

FSHN gjatë gjithë kohës ka qënë në ndryshim si strukturor ashtu dhe në përmbajtje të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor duke ju përgjigjur nevojave të zhvillimit të vendit.

Të gjitha katedrat zgjeruan kërkimin shkencor dhe u rritën profesionalisht në kontakt edhe me zhvillimin e shkencës në botë. Mjaft pedagogë të këtij Fakulteti janë specializuar jashtë shtetit në Universitete të njohura, kanë kryer doktoraturat në ato universitete si në vendet e Europës Lindore ashtu dhe në ato të Europës Perendimore. Ecja me hapin e kohës ka bërë që në vitet në vazhdim FSHN të ofrojë programe të ndryshme studimi duke diplomuar specialist sipas nevojave të vendit. Në këtë Fakultet janë hapur për herë të parë edhe degë si Farmacia dhe Mercelogjia që sot janë pranë Fakultetit të Mjeksisë dhe atij Ekonomik përkatësisht. Gjithashtu në vitet ’80 hapet edhe dega e Informatikës.

Me rritjen e FSHN kemi dhe ngritjen e strukturave të reja pranë tij si Qendra e Matematikës Llogaritëse 1971, Instituti i Fizikës Bërthamore 1970, Kopështi Botanik 1971,  Muzeu i Shkencave të Natyrës si edhe 3 Qendra të Kualifikimit të Mësuesve, të Matematikës, Fizikës dhe Biologji-Kimisë.

Gjthashtu zgjerimi i fushave të kërkimit shkencor çoi në ndarjen e katedrave mëmë në katedra të reja me fusha studimi të reja. Në vitin 1984 në FSHN funksiononin 12 katedra. Pranë tyre funksiononin disa sektorë shkencorë dhe mjaft laboratore. Afatet e studimit janë 4 dhe 5 vjet. Deri në 1984 kanë kryer studimet në FSHN mbi 5000 specialistë. Në vitet ’90 FSHN organizohet në 7 Departamente: Departamenti i Matematikës, Biologjisë, Farmacisë, Fizikës, Informatikës, Kimisë së Përgjithshme, Kimisë Industriale dhe Inxhinierike, 8 njësi mësimore shkencore dhe 18 seksione. Në 2007 krijohet edhe Departamenti i Bioteknologjisë, dhe në vitin 2014 u krijua Departamenti i Matematikës së Aplikuar.

FSHN jepte 10 diploma universitare: 2 në Matematikë (Mësues i Matematikës për shkollën e mesme dhe Matematikan), 2 në Fizikë ( Mësues i Fizikës për shkollën e mesme dhe Fizikant), 2 në Biologji (Mësues i Biologjisë për shkollën e mesme dhe Biolog, 3 në Kimi ( Kimist Industrial, Kimist Ushqimor, Kimist i përgjithshëm) dhe 1 në Informatikë. FSHN organizonte dhe drejtonte edhe studimet pas universitare si për diplomat Master në fushat përkatëse ashtu dhe për gradat Kandidat i Shkencave fillimisht dhe më pas Doktor i Shkencave.

Me nënshkrimin e Deklaratës së Bolonjës nga Shqipëria edhe në FSHN filloi puna për riorganizimin e studimeve në përputhje me proçesin e Bolonjës.

Filloi organizimi i studimeve në cikle dhe filluan të jepeshin diplomat e para për ciklin e parë të studimeve (3 vjeçare).

Pas miratimit të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë, 2007 FSHN riorganizoi programet  e studimeve të ciklit të parë dhe hapi programe studimi të ciklit të dytë dhe të tretë. Gjithashtu ai u ristrukturua dhe institucionalisht me ardhjen në FSHN të Instituteve të Akademisë së Shkencave.

Fakulteti i Shkencave të Natyrës  nxit, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies dhe veprimtaritë kërkimore në fushën e shkencave të natyrës (Biologji, Fizikë, Informatikë, Kimi, Matematikë) duke respektuar liritë akademike të personelit akademik dhe të drejtën e tij për të shfrytëzuar burimet materiale dhe financiare të Fakultetit

FSHN në përputhje me objektivat e Universitetit të Tiranës, synon arsimimin e lartë të studentëve vendas e më gjerë, studimet dhe specializimet e mëtejshme,  kërkimet shkencore  dhe veprimtaritë mbështetëse  në fushat e shkencave të natyrës.

Misioni i FSHN është përgatitja e individëve të kualifikuar në fushat e shkencave natyrore dhe mësimdhënies së tyre duke krijuar, zhvilluar dhe transmetuar njohuritë nëpërmjet mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, duke kultivuar lirinë dhe diversitetin e ideve, për ndërtimin dhe konsolidimin e shoqërisë demokratike.

Përçimi tek studentët i njohurive të nivelit bashkëkohor universitar, të përditësuara këto në fushat e shkencave të natyrës, i pajisin ata me njohuri të cilat u japin mundësinë për të vazhduar studimet e thelluara në disiplinat e shkencave të natyrës, brenda ose jashtë vendit ose të dalin në tregun e punës si specialistë të kualifikuar.

Organizimi
Departamentet
Fakulteti ofron programet Bachelor, Master Profesional, Master i Shkencave, dhe Doktoraturë.
Fakulteti i Shkencave të Natyrës:
  • Prof. Dr. Spiro DRUSHKU,   Dekan i Fakulteti të Shkencave të Natyrës.
  • Prof. Asoc. Dr. Eglantina KALLUÇI Zv. Dekan për kurrikulat e cikli të parë dhe të ciklit të dytë të Studimeve.
  • Prof. Asoc. Dr. Alda KIKA , Zv. Dekan për kualifikimin Pedagogjiko-Shkencor dhe ciklin e tretë të studimeve.
  • Prof. Dr. Ferdinand BEGO, Zv. Dekan për projektet dhe qendrat e kërkimi-zhvillim.
Organika e personelit akademik me kohë të plotë të FSHN (Kliko këtu)
Struktura Organizative e Fakultetit të Shkencave të Natyrës (Kliko këtu)

 

Adresa: Bulevardi “Zogu i Parë”, Tiranë
Kontakte: info@fshn.edu.al
Tel: (+355 4) 2229590;
Web:http://www.fshn.edu.al/