CV-të dhe pagat e nënpunësve që janë subjekt deklarimi sipas ligjit, përshkrim të procedurës së zgjedhjes, kompetencat dhe detyrat e tyre - UNIVERSITETI I TIRANËS

CV-të dhe pagat e nënpunësve që janë subjekt deklarimi sipas ligjit, përshkrim të procedurës së zgjedhjes, kompetencat dhe detyrat e tyre

Rektor i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan HOXHA

 

Administrator i Universitetit të Tiranës, Z. Skerdi DAFA

  • CV e Administratorit të UT-së

Procedura e zgjedhjes së Rektorit

1. Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare.
2. Rektori mban titullin “Profesor” dhe mund të vijë nga radhët e personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose dhe jashtë tij.
3. Rektori zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik të njësive kryesore dhe studentët. Votat e studentëve në përzgjedhjen e Rektorit llogariten në masën dhjetë për qind të totalit të përgjithshëm të votave. Kandidatët për rektor vetëkandidohen dhe duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) të kenë përvojë në mësimdhënie ose kërkim shkencor jo më pak se 10 vjet;
b) të kenë përvojë akademike në cilësinë e titullarit të disiplinave të lëndëve, si dhe të kenë zhvilluar kurrikula, programe lëndësh, të kenë përgatitur literaturë mbështetëse dhe/ose të kenë zhvilluar projekte kërkimore etj., prej të paktën 5 vitesh;
c) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
ç) të mos jenë dënuar më parë me një vendim të formës së prerë për vepra penale;
d) të mos ketë papajtueshmëri në kuptim të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë? funksione publike”.
4. Zgjedhja e Rektorit realizohet në përputhje me ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Universitetit të Tiranës.
5. Mandati i Rektorit zgjat katër vjet. Ai shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Pas përfundimit të mandatit, ai vazhdon të jetë anëtar i personelit të njësisë bazë ku kryen veprimtarinë e tij akademike.
6. Rektori i zgjedhur dekretohet nga Presidenti i Republikës.
7. Rektori shkarkohet nga Presidenti i Republikës në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, me propozim të ministrit përgjegjës për arsimin. Në rastin e largimit të Rektorit para përfundimit të mandatit të tij, detyrën e Rektorit e kryen një prej zëvendësrektorëve. Ky i fundit komandohet në detyrë nga ministri përgjegjës për arsimin, për një afat deri në gjashtë muaj, me qëllim organizimin e zgjedhjeve.
Për rregulla me të hollësishme mbi procedurë e zgjehdhjes së Rektorit të UT-së referojuni Rregullorja “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës”, të miratuar me Vendimin nr. 5, datë 10.02.2020 të Senatit Akademik. https://unitir.edu.al/wp-content/uploads/2020/02/Vendimi-nr.-5 dat%C3%AB10.02.2020.pdf

Funksionet e Rektorit të UT-së

1. Rektori kryen funksionet si më poshtë:
a) Drejton Senatin Akademik dhe raporton para tij;
b) Nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmësakademik në Universitetin e Tiranës.
c) I paraqet Senatit planin strategjik të zhvillimit të institucionit;
ç) I paraqet kërkesat akademike, administrative dhe financiare tek Administratori i institucionit të arsimit të lartë;
d) Nënshkruan titujt akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” pas miratimit të tyre;
dh) Nënshkruan diplomat për të gjitha ciklet e studimeve që ofron Universiteti i Tiranës, pa të drejtë delegimi;
e) Trajton ankesat e bëra ndaj vendimeve të organeve të ndryshme të fakulteteve dhe u propozon strukturave përkatëse marrjen e vendimeve në lidhje me to, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ë) Ushtron kontrolle, kryesisht apo me kërkesë të organeve drejtuese të Universitetit, për cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor, zbatimit të kontratave të punës dhe për çdo veprimtari tjetër që kryejnë fakultetet;
f) Ka të drejtën e delegimit të firmës dhe të kompetencave të tij zëvendësrektorëve;
g) Miraton strukturën e vitit akademik në shkallë universiteti, në përputhje me udhëzimet e ministrisë përgjegjëse për arsimin;
gj) Autorizon, në rast nevoje, hyrjen e forcave të rendit në mjediset e universitetit;
h) Shtron për diskutim në rektorat ankesat e bëra ndaj vendimeve të organeve të ndryshme të fakulteteve.
i) Emëron dhe shkarkon zëvendësrektorët pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në Senatin Akademik;
j) Përcakton fushën e veprimit të zëvendësrektorëve dhe bën ndryshimin e tyre kur e gjen të nevojshme për nevoja të institucionit në rastet dhe mënyrën e parashikuar në rregulloren e UT-së;
k) Kur e çmon të arsyeshme dhe të nevojshme, ngre grupe pune me qëllim kontrolli, studimi apo veprimtari të tjera të veçanta;
l) Kur e çmon të arsyeshme ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Bordit të Administrimit ku mund të paraqesë sugjerime, opinione, rekomandime, me qëllim përmirësimin e punës, orientimin më të mirë në administrimin e institucionit dhe në përputhje me interesin më të lartë të Universitetit të Tiranës;
ll) Nënshkruan marrëveshjet me karakter akademik apo protokollet e bashkëpunimit të universitetit me të tretët, si edhe anëtarësimin në shoqatat kombëtare dhe ndërkombëtare. Për marrëveshjet për të cilat kërkohet miratimi i Senatit, rektori i nënshkruan ato mbas miratimit paraprak të tij. Në rast se çështjet kanë efekte financiare merret edhe pelqimi i Bordit të Administrimit.
m) Është autoriteti i vetëm kontraktues për anën akademike dhe çështjet protokollare në nivel institucional. Në disa raste, sipas gjykimit të tij, ai mund të delegojë të drejtën e firmës te njëri nga zëvendësrektorët.
n) I propozon ministrit përgjegjës për arsimin shkarkimin e autoritetit drejtues të njësisë kryesore të institucionit publik, në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së Universitetit. Rektori, brenda dy muajve nga data e shkarkimit, cakton njërin prej zëvendësve të autoritetit deri në zgjedhjen e autoritetit të ri. Rektori, menjëherë pas shkarkimit, shpall zgjedhje të parakohshme, të cilat kryhen brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit.
nj) Ushtron kompetenca të tjera të parashikuara në këtë Statut dhe akte të tjera të Universitetit.
o) Mbikëqyr zbatimin e vendimeve, masave dhe kërkesave të Senatit Akademik.
p) Paraqet propozime për aktet që janë në kompetencë të Senatit Akademik dhe Bordit të Administrimit.
q) I kërkon informacion Bordit të Administrimit për çështje të kompetencës së tij.
r) Kur i kërkohet, merr pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e organeve dhe të njësive përbërëse të UT-së në të cilat nuk bën pjesë ligjërisht ose sipas këtij statuti.
2. Rektori, në ushtrim të funksioneve të tij, shprehet sipas rastit me vendime, urdhra dhe udhëzime.
Administratori i UT-së
Procedura e zgjedhjes së Administratorit të UT-së
1. Administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të UT-së, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet administrative dhe financiare.
2. Administratori përzgjidhet me konkurs të hapur, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga Bordi i Administrimit. Lista e kandidaturave që plotësojnë kriteret ligjore miratohet nga Senati Akademik dhe i përcillet Bordit të Administrimit.
3. Administratori duhet të ketë arsim të lartë, së paku në nivelin “Master i shkencave”, në fushën e drejtësisë ose të ekonomisë dhe përvojë pune së paku shtatë vjet në këto fusha.
4. Administratori nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër akademik apo administrativ.
5. Administratori është përfaqësuesi ligjor i UT-së për çështjet financiare dhe administrative, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi dhe përcaktimeve të këtij Statuti.
6. Administratori është anëtar i Rektoratit.
7. Administratori raporton rregullisht për zhvillimin e aktivitetit të tij përpara Bordit të Administrimit. Për këtë arsye, njofton Bordin e Administrimit të paktën 10 ditë përpara zhvillimit të këtij takimi. Në njoftim duhet të përcaktohen edhe pikat mbi të cilat duhet të mbështetet raportimi i tij.
8. Administratori raporton për aspekte të aktivitetit të tij përpara Senatit Akademik, kur këtë e kërkon Senati Akademik, apo vetë administratori, në përputhje me kompetencat përkatëse. Në njoftimin për raportim, sipas rastit, organi ose autoriteti përkatës duhet të përcaktojë edhe pikat mbi të cilat do të mbështetet raportimi i administratorit.

Funksionet e Administratorit të UT-së

Administratori kryen këto funksione:
1. Harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor afatmesëm të tij;
2. Propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen e zbatimin e tyre;
3. Ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të institucionit të arsimit të lartë në strukturat e varësisë së tij;
4. Zbaton të gjitha vendimet e Bordit të Administrimit dhe të Senatit Akademik me karakter financiar dhe administrativ;
5. I paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit të arsimit të lartë, në përfundim të vitit akademik;
6. Bashkëpunon me strukturat dhe autoritetet e tjera të institucionit të arsimit të lartë për çështje të administrimit të përditshëm;
7. Emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe njësive bazë pas miratimit të Bordit të Administrimit;
8. Plotëson kërkesat e rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare.
9. Është përgjegjës për veprimtarinë e përgjithshme administrative dhe financiare të UT-së, për vendosjen dhe drejtimin e politikave dhe procedurave në mënyrë që të sigurojë në kohë dhe në mënyrë profesionale përmbushjen e detyrave, në formulimin dhe zbatimin e politikave të UT-së;
10. Është drejtuesi administrativ i këtij institucioni, zbaton vendimet e marra nga Bordi dhe raporton tek Bordi i Administrimit, që është eprori direkt i tij. Planifikon, organizon dhe drejton veprimtarinë e UT-së, nëpërmjet drejtimit administrativ;
11. Zbaton të gjitha vendimet e Senatit Akademik me karakter financiar dhe administrativ;
12. I paraqet për miratim Bordit të Administrimit, rregulloren financiare, strukturën dhe kriteret e emërimit të punonjësve administrativë;
13. Emëron dhe shkarkon personelin administrativ të UT-së, në përputhje me kriteret, organikën e miratuar dhe legjislacionin në fuqi;
14. Emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe të njësive bazë pas miratimit të Bordit të Administrimit;
15. Kontrollon zbatimin e rregullave të etikës nga personeli administrativ dhe merr masat e duhura disiplinore ndaj shkeljeve të konstatuara;
16. Menaxhon personelin administrativ të UT-së, në mënyrë të tillë që formulimi dhe zbatimi i politikës së UT-së të jetë i mirëkoordinuar dhe veprimtaria e stafit të përmbushet si duhet dhe në kohën e përcaktuar;
17. Miraton planet vjetore të punës së njësive në varësi të tij strukturore e funksionale dhe kontrollon realizimin e tyre;
18. Përfaqëson UT-në përpara gjykatave, institucioneve shtetërore, apo subjekteve të tjera për çështje administrative dhe financiare në kompetencë të tij; nënshkruan dokumentet e hartuara me karakter administrativ dhe financiar, që dalin në emër të UT-së;
19. Nxjerr urdhra dhe akte të tjera në funksion të drejtimit të veprimtarisë administrative e financiare brenda institucionit;
20. Ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor-Universiteti i Tiranës, bazuar në legjislacionin në fuqi për prokurimet publike;
21. Koordinon punën për përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm 3-vjeçar për Universitetin e Tiranës. Harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor afatmesëm të tij;
22. Propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen e zbatimin e tyre.
23. Propozon në Bordin e Administrimit të UT-së ndryshimin e destinacionit të fondeve nga një njësi shpenzuese në një tjetër;
24. Miraton detajimin e fondeve buxhetore, të shpërndara për çdo njësi shpenzuese;
25. Shqyrton kërkesat dhe miraton rishpërndarjet brenda të njëjtit artikull buxhetor të shpenzimeve aktuale, pa tejkaluar limitet buxhetore të miratuara nga Bordi i Administrimit;
26. Përgjigjet për mbajtjen e kontabilitetit, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi;
27. Ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të institucionit të arsimit të lartë në strukturat e varësisë së tij;
28. Raporton tek Bordi i Administrimit për mbylljen e llogarive të mjeteve monetare dhe të buxhetit vjetor përmbledhës të Universitetit të Tiranës;
29. Përgatit dhe raporton tek BA analizën vjetore përmbledhëse për cilësinë e sistemit të kontrollit të brendshëm të Universitetit të Tiranës;
30. I paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit të arsimit të lartë, në përfundim të vitit akademik;
31. Administratori mund t’u delegojë një ose disa nga kompetencat e tij organeve vartëse, sipas rregullave që parashikon Kodi i Procedurave Administrative në RSH-së;
32. Siguron realizimin e kërkesave me karakter administrativ dhe financiar të Senatit Akademik dhe të Rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare;
33. Nënshkruan kontratat e punës së personelit administrativ;
34. Në bashkëpunim me strukturat akademike dhe administrative të Universitetit, harton dhe ndjek realizimin e një plani afatmesëm/afatgjatë me detyra të sakta e me afate kohore, për gjenerimin e të ardhurave alternative, duke synuar rritjen graduale të pavarësisë financiare, përmes rritjes së përqindjes së të ardhurave të Universitetit në totalin e buxhetit të tij;
35. Autorizon, në rast nevoje, hyrjen e forcave të rendit në mjediset e Universitetit, sipas kompetencave të tij administrative.