test - UNIVERSITETI I TIRANËS

Mes studentëve shqiptarë në Universitetin e Poitiers në Francë

 
Mbi 20 studentë shqiptarë të Universitetit të Tiranës ndjekin studimet e pjesshme në universitetin francez të Poitiers. Në kuadër të bursave të ofruara nga programi Erasmus+, ata ndjekin një semestër ose një vit të plotë akademik.
Ata u takuan javën e kaluar me drejtuesit e Universitetit të Tiranës, Rektorin Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Dekanët e gjashtë fakulteteve që vizituan Universitetin Poitiers, në kuadër të nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi më të gjërë mes dy universiteteve.
 
Rektori i Universitetit të Tiranës, i ftoi studentët që, pasi të përfundojnë studimet, të rikthehen në Shqipëri, jo vetëm për të vazhduar programin akademik, por edhe për të punuar dhe kontribuar për vendin e tyre. “Vendi sot ka nevojë për kontributin e gjithkujt, aq më shumë të të rinjve të diplomuar në universitete të mira jashtë vendit.”- theksoi Prof. Dr. Artan Hoxha.
 
Që nga viti 1992, janë të paktën 100 studentë që kanë përfituar nga programe të ndryshme shkëmbimi me Universitetin e Poitiers në Francë.

Ndërkohë që marrëveshja e nënshkruar së fundmi, në nivel rekotarësh dhe fakultetesh të veçanta, do të hapë të tjera mundësi bashkëpunimi, edhe në fushën e kërkimit të përbashkët shkencor si dhe të shkëmbimit të përvojave mes stafeve akademike.