Bashkëpunim mes UT dhe Universitetit Politeknik të Portos
Universiteti i Tiranës nënshkruan një tjetër marrëveshje bashkëpunimi me institucione homologe europiane, që synon rritjen e shkëmbimit të përvojës, studentëve dhe stafeve akademike. Një delegacion i Universitetit të Tiranës, nën drejtimin e Rektorit Prof. Dr. Artan Hoxha, ndodhet në qytetin portugez të Portos, ku zhvilloi një takim në Universitetin Politécnico do Porto, një ndër institucionet më të njohura të arsimit në Portugali. Sot, mes drejtuesve të dy universiteteve u nënshkrua edhe marrëveshja e parë e bashkëpunimit mes dy universiteteve.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është të promovojë dhe të zgjerojë mirëkuptimin, zhvillimin dhe miqësinë ndërkombëtare mes dy palëve duke stimuluar dhe mbështetur aktivitetet dhe projektet akademike, profesionale dhe ndërkulturore të drejtuara ndaj studentëve, stafit dhe anëtarëve të fakultetit të të dy institucioneve: Politécnico do Porto dhe Universiteti i Tiranës.
Disa nga fushat të identifikuara në këtë marrëveshje me interes të përbashkët mës dy universiteteve janë:
- Programet e shkëmbimit të studentëve
- Programet e shkëmbimit të fakultetit/stafit
- Vizita e aktiviteteve të studiuesve
- Projekte kërkimore bashkëpunuese
- Programe/projekte trajnimi afatshkurtër
- Leksione, konferenca dhe seminare bashkëpunuese dhe shkëmbyese
UT është në një fazë të zgjerimit të partneritetit me universitete homologe në vende të ndryshme, kryesisht në Europë. Marrëveshjet synojnë një bashkëpunim të gjërë, në fushën e kërkimit shkencor, shkëmbimit të pervojave dhe shkëmbimit reciprok të studentëve.